Politike

SHBA: Të pakënaqur nga ngecja në Shqipëri, të nisë dialogu për krizën

Zyrtari i lartë i DASH, David Kostelancik duke marrë pjesë në Forumin e Sigurisë në Beograd ka lëshuar edhe një apelin që partitë politike në Shqipëri të dialogojnë për zgjidhjen e krizës politike në vend. Gjatë fjalës së tij ka shprehur edhe një herë nevojën që mazhoranca dhe opozita të ulen për dialog dhe të arrijnë normalizimin e situatës.

“Jemi të pakënaqur nga ngecja në Shqipëri. I kemi nxitur palët të ulen. Ka një vend për opozitën që ka dalë nga parlamenti dhe i nxisim ta marrin atë vend dhe të negociojnë me mirëbesim”, u shpreh David Kostelancik, Drejtor për Evropën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit.

Forumi i Beogradit i mbajtur sot. Gazeta Si

Gjatë fajlës së tij në ‘Belgrade Security Forum’, David Kostelancik ka theksuar se për reformën, duke nënkuptuar atë zgjedhore, opozita jo parlamentare ka një karrige të lirë për të negociuar.
“Ne e inkurajojmë të ulet dhe të gjejë zgjidhje për situatën që është krijuar. Këtë ua kemi thënë edhe liderëve në Tiranë”, u shpreh Kostelancik.
Lidhur me procesin e integrimit deklaroi se SHBA mbështet çeljen e negociatave me BE-në, “SHBA-të mbështesin fuqimisht çeljen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Do vijojmë të inkurajojmë ecurinë e reformave në Shqipëri pavarësisht vendimit zhgënjyes për bisedimet”, theksoi zyrtari i lartë i DASH. Lufta kundër korrupsionit, zbatimi i ligjit, liria e medias, etj, nuk është se janë rezultate që duhet të shënohen vetëm nga SHBA-ja.

Sa i përket raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, zyrtari i lartë i DASH u shpreh se pret që Prishtina të tërheqë taksën dhe se Beogradi zyrtar të ndalojë fushatën kundër njohjes së pavarësisë së shtetit më të ri të Ballkanit.

Ambasadori francez jep arsyet e refuzimit
E ndërsa në Bruksel po diskutohet për mundësinë e çeljes së negociatave, ku kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev kanë shkuar për të negociuar për të bindur liderët e BE-së, ambasadori francez në Serbi ka dhënë edhe arsyet se pse nuk po hapen negociatat për Shqipërinë.
Diplomati francez Frederic Mondoloni në këtë forum tha se duhet të bëjë më shumë për forcimin e Gjyqësorit dhe Parlamentit për në mënyrë që të plotësohen kriteret për hapjen e bisedimeve të bisedimeve. Mondoloni u shpreh kundër zgjerimit të BE duke vënë në dukje se reformat janë të nevojshme si në Ballkanin Perëndimor ashtu edhe brenda vetë bllokut. “Franca mendon se negociatat me vendet e Ballkanit perëndimor duhet të jenë më graduale, por më konkrete, që do të thotë se këto shtet mund të përfshihen në disa nga politikat e BE edhe përpara anëtarësimit të plotë”, tha ai gjatë fjalës së tij.

Diplomati francez Frederic Mondoloni. Gazeta SI, 17 tetor

Ambasadori francez theksoi se vendet e BE janë të ndarë në qëndrimet e tyre dhe se u duhet më shumë kohë për arritjen e një marrëveshje të përbashkët të të gjitha shteteve. “Franca mendon se në Shqipëri duhet të bëhet më shumë në lidhje me funksionimin e Parlamentit dhe gjyqësorit, në mënyrë që të plotësohen kriteret për hapjen e bisedimeve të bisedimeve. Në Këshillin e Europës disa vende janë për hapjen e negociatave, si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë, disa janë për hapjen e negociatave vetëm për njëri vend, ndërsa disa të tjerë kundër ndarjes së dy shteteve. Na duhet më shumë kohë për të arritur një marrëveshje për këtë çështje”, tha ai.

SHBA, apeli për krizën që në shtator
Zyrtari i lartë i DASH, David Kostelancik zhvilloi në shtator një vizitë zyrtare në Tiranë, duke pasur takime me udhëheqësit kryesorë të politikës shqiptare. Ajo që ra në sy ishte mungesa e një takimi me Presidentin Ilir Meta, ndërkohë që zyrtari i lartë amerikan pati bisedime me Kryetarin e Parlamentit Gramoz Ruçi dhe kryeministrin Edi Rama, ndërsa në nivel politik me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, Sekretarin e Përgjithshëm socialist Taulant Balla si dhe dy deputetët opozitarë që janë pjesë e parlamentit Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni.

Lulzim Basha me drejtorin e Zyrër për Europën Qendrore dhe Jugore në DASH, David Kostelancik. Gazeta Si, 17 tetor 2019

Zgjidhja e krizës, reformat kanë qenë një nga temat kryesore të diskutimit. Sipas njoftimit të shpërndarë nga Parlamenti shqiptar, në takimin me kryeparlamentari Ruçi, zyrtari amerikan “ka vënë në dukje nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore dhe rekomandoi se është përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme. Kryerja e reformës zgjedhore brenda vitit do të mundësoje edhe një presidencë shqiptare të suksesshme të OSBE-së në vitin 2020”.
Lidhur me takimin e tij me zyrtarin e Departamentit amerikan të Shtetit, kryetari demokrat Basha ka shpjeguar përmes një statusi në Twitter se në fokus të bisedës ka qenë “fund pandëshkueshmërisë së politikanëve, rikthim i Sundimit të Ligjit, dhënie fund kapjes së shtetit dhe korrupsionit dhe forcimi i partneritetit strategjik të Shqipërisë me SHBA”. Kostelancik është emëruar kohët e fundit në detyrën e Drejtorit të Zyrës për Europën Jugore e Qendrore, pas përfundimit të misionit diplomatik në Hungari, si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë