Drejtësia

SHBA: Shqipëria jep pak dënime për trafikimin e qënieve njerëzore

Megjithëse trafikimi I qenieve njerëzore mbetet problem I madh në Shqipëri, numri i dënimeve mbetet I ulët. Këtë konstatim e  bën departamenti amerikan I shtetit në raportin për Shqipërinë, për vitin 2020.

Sipas raportit, Shqipëria mbetet e klasifikuar si një vend i klasit të dytë të trafikimit njerëzor.

“Në vitin 2018 ashtu edhe në 2019, vetëm pesë trafikantë u dënuan, që shënon numrin më të ulët të dënimeve që nga viti 2014”.

Sidoqoftë, numri i hetimeve ka qenë më i lartë: Policia e Shtetit Shqiptar hetoi 41 çështje me 62 të dyshuar në vitin 2019 (38 raste me 51 të dyshuar në 2018), nga të cilat 34 raste me 45 të dyshuar kishin të bënin me trafikimin e të rriturve (30 raste me 42 të dyshuar në 2018) dhe shtatë raste me 17 të dyshuar kishin të bënin me trafikimin e fëmijëve (tetë raste me nëntë të dyshuar në 2018).

Gjithashtu, të dhënat nga Zyra e Koordinatorit Kombëtar Kundër Trafikimit tregojnë një numër më të lartë të viktimave të trafikimit në vitin 2019, me 103 gjithsej: shtatë viktima të trafikimit  dhe 96 viktima të mundshme të trafikimit; 67 të mitur dhe 36 të rritur; 19 femra dhe 9 meshkuj; 98 shqiptarë dhe 5 të huaj.

“Këto të dhëna konfirmojnë shqetësimin e Departamentit të Shtetit të SH.B.A.-së për numrin e ulët të dënimeve të trafikantëve nga Gjykatat, pavarësisht nga identifikimi i një numri dukshëm më të lartë të viktimave të trafikimit.”,- thekson raporti.

Viktimat për trafik seksi, nga Europa dhe Filipinet

Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA përmend gjithashtu çështjet e grave migrante dhe familjeve punëtore. Vëzhguesit vazhdojnë të raportojnë se autoritetet nuk kontrollojnë ose zbatojnë në mënyrë të vazhdueshme Procedurat Operacionale Standarde për migrantët dhe azilkërkuesit dhe se policia “nuk kontrollon individët e angazhuar në seks komercial, për treguesit e trafikimit gjatë bastisjeve dhe hetimeve të institucioneve tregtare të seksit.”

Në raport theksohet se viktimat e huaja nga vendet evropiane dhe Filipinet shfrytëzohen në trafik seksi dhe punë të detyruar, ndërsa migrantët e parregullt nga Azia janë të punësuar si punëtorë shtëpiakë nga familje të pasura dhe janë të prekshëm nga ajo që në raport cilësohet si skllavëria shtëpiake.

Ligji dhe praktika

Në Shqipëri, nenet 110 (a) dhe 128 (b) të kodit penal e penalizojnë trafikimin seksual dhe trafikimin e punës dhe parashikojnë dënime prej tetë deri në 15 vjet burgim për veprën e trafikimit që përfshin një viktimë të rritur dhe 10 deri në 20 vjet burgim për një vepër që përfshin një fëmijë viktimë.

Këto dënime ishin mjaft të rrepta dhe, në lidhje me trafikimin seksual, në përpjesëtim me ato të përshkruara për krime të tjera të rënda, të tilla si përdhunimi.

“Gjykatat dënuan pesë trafikantë (pesë në 2018), tre për trafikim të të rriturve (një në 2018) dhe dy për trafikim të fëmijëve (katër në 2018). Gjyqtarët dënuan tre trafikantë të dënuar për trafikim të të rriturve, përkatësisht me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim, 10 vjet burgim dhe 17 vjet burgim, ndërsa dy trafikantë fëmijësh u dënuan me 15 vjet burgim. Në vitin 2018, një trafikant mori dy vjet e tetë muaj burgim për trafikim të të rriturve dhe katër trafikantë morën dënime nga gjashtë vjet e tetë muaj deri në 18 vjet për trafikim të fëmijëve. Gjykata e apelit shqyrtoi dhe konfirmoi vendimet për tre trafikantë (pesë në 2018).”, theksohet në raport.

Vërehet se një njësi antitrafik hetonte trafikimin e personave përveç trafikut të drogës dhe kontrabandës, ndërsa qeveria vazhdoi reformat gjyqësore që ndryshuan juridiksionin prokurorial për çështjet e trafikimit. Prokuroria Speciale Antikorrupsion (SPAK) dhe Gjykata Speciale e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar fituan juridiksionin mbi çështjet e trafikimit në lidhje me krimin e organizuar, “por gjykatat e rrethit proceduan çështjet e trafikimit pa një lidhje të krimit të organizuar”-thuhet në raport ku vërhet edhe dobësia e prokurorëve në  rrethe “që nuk kishin përvojën dhe aftësinë e specializuar për të ndjekur penalisht çështjet e trafikimit me sukses.

“Autoritetet raportuan konfuzion midis elementeve të mbivendosura të shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikimit dhe nganjëherë aplikuan akuzë më të vogël, sepse kërkonte më pak specializim dhe kohë, ose për shkak të besimit të rremë se krimet e trafikimit kërkonin një element ndërkombëtar. Burimet e kufizuara dhe qarkullimi i vazhdueshëm brenda zbatimit të ligjit krijuan pengesa shtesë për ruajtjen e kapacitetit për të hetuar trafikimin.”, thekson raporti.

Qeveria, herë në bashkëpunim me OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare, ka trajnuar oficerë policie, gjyqtarë, prokurorë të rrethit dhe koordinatorë të viktimave për çështje të ndryshme antitrafik.

Sipas DASH, qeveria nuk raportoi ndonjë hetim, ndjekje penale ose dënim të punonjësve të qeverisë bashkëpunëtorë në veprat e trafikimit, megjithatë, “OJQ-të raportuan disa raste të bashkëpunimit zyrtar dhe korrupsionit.”

Si shfrytëzohen viktimat

Sipas raportit të DASH, trafikantët shfrytëzojnë gratë dhe fëmijët shqiptarë në trafik seksi dhe punë të detyruar brenda vendit, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Trafikantët përdorin premtime të rreme siç janë ofertat e martesës ose punësimit për të detyruar viktimat të trafikojnë seksin. Fëmijët zakonisht detyrohen të lypin ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar, të tilla si shitja e sendeve të vogla. Raporti thekson se trafikantët shfrytëzojnë fëmijët shqiptarë, kryesisht nga komunitetet rome dhe egjiptiane të Ballkanit, për punë sezonale dhe lypje të detyruar.

Fëmijët romë dhe egjiptianë, shfrytëzim në fushat e kanabisit

“Sipas raporteve të izoluara, trafikantët shfrytëzojnë fëmijët përmes punës së detyruar në fushat e kanabisit në Shqipëri dhe disa trafikantë ka të ngjarë të jenë të përfshirë në trafikun e drogës.”, thuhet më tej në raport.

Shfrytëzimi i viktimave nga trafikantët e qenieve njerëzore bëhet jo vetëm brenda Shqipërisë, por po aq problem është edhe shfrytëzimi i tyre jashtë vendit.

Shfrytëzimi seksual dhe puna e detyruar, shqiptarët në Evropë

Kështu, trafikantët shfrytëzojnë viktimat shqiptare në trafikimin e seksit në vendet anembanë Evropës, veçanërisht në Kosovë, Greqi, Itali, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, në Maqedoninë e Veriut, Norvegji, Hollandë dhe Mretërinë e Bashkuar.

Migrantët shqiptarë që kërkojnë punë në Evropën Perëndimore përballen me punë të detyruar dhe kriminalitet të detyruar, veçanërisht në MB. Viktimat e huaja nga vendet evropiane dhe Filipinet shfrytëzohen në trafikimin seksual dhe punën e detyruar në Shqipëri. Migrantët e parregullt nga Azia janë të punësuar si punëtorë shtëpiakë nga familje të pasura dhe janë të prekshëm nga skllavëria shtëpiake.

Po ashtu, migrantët e Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore dhe Afrikës, të cilët kalojnë tranzitin nga Shqipëria për të arritur në Evropën Perëndimore janë të prekshëm dhe vunerabël nga trafikimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë