Gazeta Si – “Sëpata” e shkurtimeve po bie edhe mbi diplomacinë amerikane, të cilën administrata Trump po përgatitet ta ridizajnojë rrënjësisht.
Sipas dokumenteve të brendshme të shqyrtuara nga agjencia e lajmeve “Reuters”, Shtëpia e Bardhë synon të shkurtojë buxhetin e Departamentit të Shtetit me gati 50% në vitin 2026, me pasoja të rënda: 27 misione diplomatike amerikane mund të mbyllen, kryesisht në Afrikë dhe Europë, duke përfshirë 10 ambasada dhe 17 konsullata.
Plani, ende në shqyrtim, përmbahet në një dokument të quajtur “Passback”, përgjigja formale e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit (OMB) – e udhëhequr nga Departamenti i ri i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), i kryesuar nga Elon Musk – ndaj propozimit të buxhetit të Departamentit të Shtetit.
Mbylljet janë pjesë e një strategjie më të gjerë që përfshin reduktimin drastik të stafit federal, eliminimin e agjencisë së USAID-it dhe shkurtimin e mijëra programeve të ndihmës ndërkombëtare.
Ambasadat që mund të mbyllen përfshijnë ato në Eritreas, Grenada, Lesoto, Republika e Afrikës Qendrore, Luksemburgu, Republika e Kongos, Gambia, Sudani i Jugut, Malta dhe Maldive.
Konsullatat në rrezik përfshijnë Busan (Koreja e Jugut), Durban (Afrika e Jugut), Medan (Indonezi) dhe Douala (Kamerun), si dhe zyra të shumta në Europë.
Plani sugjeron gjithashtu reduktimin e misioneve në vendet që kërkojnë burime të konsiderueshme për të garantuar sigurinë, si Somalia dhe Iraku, misionet më të shtrenjta në përgjithësi dhe racionalizimi i misioneve diplomatike në Japoni dhe Kanada duke bashkuar disa konsullata.
Arsyeja zyrtare për reduktimin është ekonomike: administrata synon të shkurtojë rreth 30 miliardë dollarë nga buxheti i Departamentit të Shtetit.
OMB propozon një buxhet prej 28.4 miliardë për vitin 2026 krahasuar me 54.4 miliardë këtë vit.
Në veçanti, fondet do të eliminohen për programet historike si “Enduring Welcome”, të destinuara për zhvendosjen në Shtetet e Bashkuara të bashkëpunëtorëve afganë dhe në rrezik të hakmarrjes së talebanëve, si dhe programi i famshëm i shkëmbimit kulturor “Fulbright, i lindur në vitin 1946.
Në vend të tyre, dy instrumente të reja: një fond humanitar presidencial prej 1.5 miliardë dollarësh për ndihmë ndërkombëtare dhe një paketë prej 2 miliardë dollarësh për ndihmë ndërkombëtare të re për krizat, të brendshme dhe të jashtme”.
Sipas OMB, këto masa “vënë në radhë të parë interesat e qytetarëve amerikanë”. Por reagimet nuk vonuan. Ekspertët dhe diplomatët e politikës së jashtme shqetësohen se mbyllja e misioneve në rajone strategjike si Afrika do të dobësojë aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të ushtruar ndikim ashtu si fuqitë e tjera, si Kina, e cila mund të rrisë praninë e saj diplomatike dhe ekonomike.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump kishte propozuar shkurtime të konsiderueshme të fondeve për diplomacinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, por Kongresi – i cili ka fjalën e fundit për buxhetin – kishte refuzuar shumicën e këtyre propozimeve.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.