Ne rrjet

SHBA sekuestron një miliard dollarë asete ruse

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sekuestruar asete nga shtetas rusë jashtë vendit për më shumë prej një miliard dollarësh, deklaroi zëvendësprokurorja e përgjithshme amerikane, Lisa Monaco për CBS News.

”Ne kemi bllokuar avionë në Zvicër dhe në Lindjen e Mesme. Kemi arrestuar kontrabandistë në Itali, në Gjermani dhe në Letoni. Ne kemi paditur pastruesit e parave në BM. Në praktikë, ne kemi treguar se nuk ka vend për t’u fshehur”, tha Monaco për emisionin ”60 Minutes”.

Zyra e saj menaxhon të ashtuquajturin grup pune ”KleptoCapture”, një grup i Departamentit të Drejtësisë, i krijuar në mars 2022 për të zbatuar sanksionet kundër oligarkëve rusë dhe kërkojnë pasuritë e tyre të fshehura kudo nëpër botë.

Monaco shpjegoi se kjo punë bazohet në një bashkëpunim të gjerë me partnerët e huaj.

”Ne jemi dëshmitarë të një komuniteti ndërkombëtar të paprecedentë që po bashkohet për të izoluar regjimin e Putinit dhe për të dënuar brutalitetin e tij të pabesueshëm kundër popullit ukrainas”, tha ajo.

Vitin e kaluar, Departamenti amerikan i Drejtësisë sekuestroi një megajaht 300 milionë dollarësh në Fixhi, në pronësi të oligarkut Suleiman Kerimov.

Departamenti i Drejtësisë ka kërkuar gjithashtu sekuestrimin e një jahti 90 milionë dollarësh, në pronësi të oligarkut Viktor Vekselberg. /ata


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë