Gazeta Si – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë sekuestruar dy cisterna ruse nafte: “Marinera” dhe “Sophia”.
E para u ndalua në Atlantikun e Veriut, e dyta në Karaibe. Të dyja u sanksionuan nga SHBA-të, duke përmendur “aktivitete të paligjshme” si arsye për bllokadën.
Moska u përgjigj menjëherë: “Hyrja në bordin e ‘Marineras’ nga forcat amerikane, shkel Konventën e OKB-së të vitit 1982 mbi Ligjet e Detit”, denoncoi Ministria Ruse e Transportit, duke shtuar: “Më 24 dhjetor 2025, cisterna mori një leje të përkohshme për të lundruar nën flamurin kombëtar të Federatës Ruse, të lëshuar në bazë të legjislacionit rus dhe ligjit ndërkombëtar”.
Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey deklaroi se Londra i ofroi mbështetje ushtarake Uashingtonit.
E bllokuar në brigjet e Evropës kontinentale, “Marinera”, më parë “Bella 1”, akuzohet nga Shtëpia e Bardhë për shkelje të sanksioneve të SHBA-së dhe transportim të naftës bruto iraniane.
Ajo kishte qenë në shënjestër të Uashingtonit për njëfarë kohe, me një përpjekje për t’u hipur në anije muajin e kaluar, por anija ndryshoi kursin, emrin dhe flamurin (nga i Guajanës, tek ai rus).
Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve, udhëhoqi operacionin. Përpjekjet e Rusisë për të mbrojtur anijen ishin të pasuksesshme, me Kremlinin që dërgoi anije ushtarake dhe një nëndetëse për të “shoqëruar” Marinera-n.
Autoritetet amerikane sekuestruan gjithashtu një tjetër anije cisternë nafte në Karaibe: “M/T Sophia”, e cila, sipas mediave amerikane, po valëviste në mënyrë të rreme një flamur kamerunas, megjithëse në të vërtetë ishte rus.
Sipas Uashingtonit, “Sophia” ishte gjithashtu pjesë e të ashtuquajturës “flotë në hije” dhe tashmë i nënshtrohej sanksioneve njësoj si “Marinera”. Sipas Komandës Jugore të SHBA-ve, Roja Bregdetare e SHBA-ve po shoqëron “Sophian” në SHBA.
Operacionet ishin pjesë e “bllokadës totale” të shpallur nga Donald Trump si pjesë e fushatës së SHBA-ve për të rrëzuar presidentin venezuelan, Nicolás Maduro, i cili u kap nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë operacionit kompleks të fundjavës së kaluar dhe aktualisht është në gjyq.
Duke pasur parasysh tensionin në rritje në Venezuelë dhe nga frika e një eksodi emigrantësh drejt territorit të saj, Kolumbia ka vendosur mbi 30,000 anëtarë të Forcave të saj të Armatosura përgjatë kufirit me Republikën Bolivariane.
Masa, e urdhëruar nga presidenti Gustavo Petro, përfshin vendosjen e tankeve, patrullave dhe një Postë të Unifikuar Komanduese në Cucuta, gjithashtu në përgjigje të kthimit të mundshëm të grupeve të armatosura si disidentët ELN dhe FARC.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




