Bota

SHBA sanksionon 4 gjyqtarë të tjerë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale të Hagës

Gazeta Si – Departamenti Amerikan i Shtetit (Ministria e Jashtme e SHBA-ve), ka vendosur sanksione ndaj katër anëtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), tribunali kryesor ndërkombëtar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në qershor, Shtetet e Bashkuara sanksionuan katër gjyqtarë të tjerë të Gjykatës dhe më parë të gjithë Gjykatën, me të njëjtën akuzë: miratimin e masave të motivuara politikisht për të synuar Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio përdori gjuhë veçanërisht të ashpër, duke shkuar aq larg sa e quajti Gjykatën “një kërcënim për sigurinë kombëtare”.

As Shtetet e Bashkuara dhe as Izraeli nuk e njohin juridiksionin e Gjykatës: këto sanksione janë një veprim politik, që shprehin afërsinë e Shteteve të Bashkuara me qeverinë izraelite ndërsa ajo përgatitet për pushtimin e plotë të Gazës.

Midis gjyqtarëve të sanksionuar, është francezi Nicolas Guillou, i cili po punon në çështjen që çoi në lëshimin e një urdhër-arresti kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu.

Gjyqtarja tjetër e sanksionuar, kanadezja Kimberly Prost, ishte përgjegjëse për hetimin paraprak për krimet e luftës të kryera nga ushtria amerikane në Afganistan (i cili më vonë u mbyll pa ndonjë zhvillim të rëndësishëm).

Dy individët e tjerë të sanksionuar, janë Zëvendës Prokurorët Shameem Khan të Fixhit dhe Mame Mandiaye Niang të Senegalit.

Konkretisht, sanksionet do t’u ndalojnë atyre të hyjnë në Shtetet e Bashkuara dhe do të konfiskojnë çdo pronë që ata zotërojnë në vend.

Gjykata i ka quajtur sanksionet “një sulm të hapur ndaj pavarësisë dhe paanshmërisë së saj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë