Një gazsjellës misterioz që po ndërtohet mbi rezervat e gazit në Rusi, për të furnizuar me energji Turqinë, Europën Juglindore, ka tërhequr se fundmi vëmendjen e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka dalë kundër këtij projekti. Uashingtoni deklaroi të mërkurën se ishte kundër “TurkStream”, gazsjellësit që është përfolur se mund të bashkohet me TAP, duke sjellë gazin rus në Europë përmes Detit të Zi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione kundër gazsjellësve “Nord Stream 2” dhe “Turkish Stream” , duke shkaktuar reagime të mëdha në Moske, Berlin dhe Ankara.
Të martën, Senati amerikan miratoi një projekt-ligj për sanksione ekonomike ndaj kompanive që ndërtojnë do të tubacionet e të dyve këtyre gazsjellësve. Ai pritet të shkojë tanimë në Shtëpinë e Bardhë, për t’u nënshkruar më pas nga Trump.
Por ky vendim ka të ngjarë të prekë edhe vendin tonë, pasi sipas analistëve rus gazsjellësin “Turk Stream” mund të lidhet me tubacionin Trans Adriatik (TAP). Eksperti rus Andrei Gromadin thotë se ky gazsjellës ka për qëllim furnizimin me gaz në tregun turk dhe për vendet e Evropës Lindore përfshirë Bullgarinë, Serbinë dhe Hungarinë.
"Bashkëpunimi me projekte të tjera përfshirë TAP nuk është zyrtarizuar ende, por, për mendimin tonë, është e mundur në të ardhmen ," tha analisti, duke iu referuar mundësinë së uljes së kërkesës për gaz në vendet e Europës Perëndimore. "Në radhë të parë, këto janë Gjermania dhe Austria, të cilat janë tregjet kryesore të shitjes së gazit për Gazprom."
TAP po kryen një test tregu për të përcaktuar ku ka më shumë kërkesë për gaz. Kapaciteti fillestar i TAP është 10 miliardë metra kub gaz në vit por ai mund të rritet dy herë. Projekti TAP, me vlerë 4,5 miliardë euro, është një nga projektet prioritare të energjisë për Bashkimin Europian. Projekti parashikon transportimin e gazit nga Azerbajxhani drejt vendeve të BE-së.
Duke u lidhur me tubacionin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin Greko-Turk, TAP do të kalojë Greqinë Veriore, Shqipërinë dhe Detin Adriatik përpara se të vijë në Italinë Jugore për t'u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror.
Ndërkohë “TurkStream” pritet të furnizojë me gaz Turqinë dhe një pjesë të Ballkanit, përkatësisht Bullgarinë, Serbibë dhe Hungaribë.
Konsorciumi që administron tubacionin TAP, siç raportohet, aktualisht po shqyrton blerësit e ardhshëm europiane, ndërkohë qe kompania ruse Gazprom, nuk e ka fshehur interesin që ky gazsjellës të bashkohet me “TurkStream”.
“TurkStream” është marrë përsipër nga kompania “Gazprom” dhe do të përbëhet nga dy tubacione paralele që kalojnë përmes Detit të Zi. Ato u futën në det në bregun rus të Anapasit dhe dolën në bregdetin turk rreth 100 kilometra në perëndim të Stambollit, pranë fshatit Kiyikoy, në 30 prill të këtij vitit. Por nuk mbaron me kaq, sepse pjesa e dytë e tubacionit përfshin edhe Europën dhe Ballkanin.
Nga Kiyikoy, do të ndërtohet një tubacion nëntokësor i cili do të vazhdojë deri në kufirin turko-evropian, për të hyrë më pas në Ballkan. Sapo të dalin në bregun turk, tubacionet mund të lidhen me Greqinë dhe pastaj me gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP) dhe mund të kalojnë nga Turqia në Greqi dhe më pas në Itali.
Në fillim të korrikut, Kryeministri bullgar Bojko Borisov njoftoi se do të nënshkruante një marrëveshje për t’u bërë pjesë e gazsjellësit ruso-turk. Ai gjithashtu nënshkroi një marrëveshje me Serbinë fqinjë, sipas të së cilës marrëveshjes Beogradi do të marrë 10 miliardë metra kub të gazsjellësit turk.
Nga ana tjetër, në Kongresin Botëror të Naftës në Stamboll, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e bëri të qartë se Turqia synon të bëhet një qendër energjetike mes Lindjes dhe Perëndimit, Veriut dhe Jugut.
Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve për gaz natyror dhe energjisë bërthamore nga Rusia me Hungarinë, Republikën Çeke, Serbinë, Bullgarinë dhe Turqinë, duket se janë pritur me ankth nga Uashingtoni. Fakti që tani disa kombe të Ballkanit po përmirësojnë qartë marrëdhëniet e tyre ekonomike me Rusinë dhe me Turqinë nënvizon faktin se Perëndimi ka filluar të humbasë terren.
Për të shmangur ligjet ndëshkuese të BE-së, gazsjellësi ruso-turk kalon përmes Turqisë dhe përfundoi në kufirin turko-bullgar, ndërsa pjesa e dytë e tij mund të përfundojë në afërsi të kufirit me Greqinë, për tu bashkuar më pas në TAP-in.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.