Gazeta Si – Nëse ka një mësim që mund të nxirret nga zgjedhjet amerikane, me ardhjen e Donald Trump, është se shprehja e vjetër, që ishte pak e vështirë për t’u shpjeguar – që politika ka rëndësi, që nuk është e vërtetë që politikanët janë të gjithë njësoj, se nuk është e vërtetë që një qeveri është aq e mirë sa një tjetër – tani gjen një konfirmim edhe me prova.
Pasojat për miliona njerëz dhe për disa kategori në veçanti kanë qenë të mëdha, por ato mund të vlerësohen edhe në jetën e përditshme të qytetarit mesatar amerikan.
Dhe për shëndetin e tij. Këtu nuk po flasim për çështjen e shëndetit në kuptimin e ngushtë dhe të emërimit si ministër i Shëndetësisë të Robert Kenedit, një prej aktivistëve më të njohur kundër vaksinimit dhe shkencës. Megjithatë, le të flasim për dietën, e për rrjedhojë indirekt edhe për shëndetin.
Dieta SHBA
Një nga efektet e tarifave është se amerikanët, të cilët tashmë nuk shkëlqejnë me një dietë të shëndetshme (70% janë obezë ose mbipeshë), do të fillojnë të hanë gjithnjë e më pak fruta dhe perime.
Po, sepse shumica e domateve, avokadove, specave, trangujve dhe kungujve rriten në Meksikë dhe Kanada. Të goditur nga tarifat e Trumpit me 25% dhe të pezulluar deri më 2 prill.
Nëse Trump vendos të vazhdojë politikën e tij të pakuptimtë të tarifave doganore, do të ishte një goditje e rëndë për ata që blejnë furnizime në supermarketet amerikane.
Fruta dhe perime të importuara
60% e frutave importohen, ashtu si 30% e perimeve. Revista “Forbes” bëri këto përllogaritje: 99% e domateve të importuara në Shtetet e Bashkuara, 99% e maruleve, 88% e karotave, 70% e avokadove, mbërritën nga Meksika dhe Kanadaja në vitin 2024.
Zgjidhja, për Trump dhe bashkëpunëtorët e tij, është gjithmonë e njëjta: “Amerika në radhë të parë”.
Në kuptimin që vendi duhet të fillojë të kultivojë më shumë nga brenda. Por nuk është aq e thjeshtë sa duket.
Për ta bërë këtë, do të duhet të kufizohet puna tokë nga përdorimet e tjera, të ndërtohet një infrastrukturë, të gjenden fermerë dhe fuqi punëtore në dispozicion (politikat për të dëbuar emigrantët, natyrisht, nuk ndihmojnë).
Rritje çmimi prej 2.9%
Sa do të rriten frutat dhe perimet? Duke pasur parasysh se tarifat janë mbi vlerën e çmimit në kufi, “The Atlantic” raporton se një vlerësim i besueshëm është një rritje prej 2.9 për qind e çmimeve me pakicë. Pak? Jo në të vërtetë: ai çmim është një mesatare për të gjitha produktet, përfshirë ato të rritura në Amerikë dhe korrespondon me dy vjet inflacion.
Dhe duke marrë parasysh atë që është shkruar për çmimin e vezëve, që shqetëson Trumpin dhe normën e inflacionit, që ishte ndër faktorët që çuan në humbjen e Biden, çështja nuk është dytësore.
Produktet e freskëta do të preken mbi të gjitha, ndërsa ndikimi do të jetë më i vogël në ushqimet e përgatitura dhe të përpunuara.
Mund të duket si një temë dytësore. Megjithatë, vetëm lexoni atë që Sarah Bowen, një sociologe në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut, i thotë Rachel Sugar të revistës “The Atlantic”: “Ne pyetëm nënat se çfarë do të blinin nëse do të kishin më shumë para. Përgjigja më e shpeshtë, deri tani, ishte: fruta të freskëta, luleshtrydhe, rrush”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.