Politike

SHBA: Sot firmoset marrëveshja Hoti-Vuçiç, merr pjesë edhe Trump

Kosova dhe Serbia pritet të nënshkruajnë sot një marrëveshje historike në Shtëpinë e Bardhë, gjatë së cilës do të jetë i pranishëm edhe presidenti amerikan Donald Trump. Lajmi është bërë i ditur në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë, pasi kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti Aleksandër Vuçiç njoftuan se kishin arritur një pakt për bashkëpunimin ekonomik.

Sipas njoftimit, presidenti Trump do të jetë pjesë e takimit në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes si dhe do të mbajë më pas një takim të përbashkët me Hotin dhe Vuçiçin.

Njoftimi s’përcakton çfarë marrëveshje do të nënshkruhet, por palët kishin bërë të ditur të enjten se bëhet fjalë për marrëveshje ekonomike, edhe pse nuk ka detaje të tjera. Gjatë javës ishte folur për mundësinë e takimit të Presidentit Trump me Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës, por nuk kishte pasur një konfirmim deri mbrëmjen e së enjtes. Ai që ka zbuluar detaje nga dita e parë e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, ka qënë presidenti Aleksandër Vuçiç, i cili tha se gjatë takimit, i ishte paraqitur një dokument që kërkonte njohjen e Kosovës.

Ai ka thënë se Serbia është informuar fillimisht nga shërbimet informative se me çfarë do të ballafaqohet. Ai thotë se gjatë takimit me Grenell, amerikanët i kanë vënë përpara një dokumentin ku thotë se është kërkuar njohja e Kosovës.

“Le ta dinë njerëzit si funksionon kjo, pala amerikane na e ndau dokumentin, ishte një “non paper” si i thonë, dhe atë dokument s’mund ta merrni me vete dhe as ta fotografoni”, ka thënë Vuçic.

“Dhe na erdhi radha të prononcohemi për këtë dokument. Ishte dokument shumë i vështirë, që fliste për njohjen reciproke”, ka thënë Vuçiç, duke theksuar se më vonë amerikanët e larguan nga tavolina.

“Ky dokument ishte shumë i rëndë, kishte 15 apo 16 pika dhe një prej tyre ishte për njohjen e ndërsjellë. Unë e refuzova. Nuk është asgjë e re sepse kjo është politika amerikane, vetëm se ne thamë që ajo pikë nuk duhet të jetë në dokumentin për stabilizimin ekonomik. Nga kabineti i Trumpit u treguan te drejte dhe na dëgjuan. Në dokumentet tjera kjo pikë nuk është më”, tha presidenti serb.

Vuçiç tha pas takimit se “kishte disa vështirësi politike për ne por mendoj dhe shpresoj që i kemi kapërcyer ato dhe vazhdoj të shpresoj që ta arrijmë një marrëveshje nesër.”

“Nëse më pyesni mua nëse Serbia do të pranojë njohje të ndërsjellë që ishte përmendur në disa projekt-propozime, kjo nuk do të funksionojë për Serbinë”, tha ai.

Zoti Vuçiç shfaqi shpresën se mund të arrihet marrëveshje për çështje ekonomike, projekte të infrastrukturës, lidhjet ndërmjet Beogradit e Prishtinës që siç tha, do të ishin në të mirë të serbëve në Kosovë, të shqiptarëve dhe të gjithëve.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroir nga ana tjetë se të premten pritet të nënshkruhet marrëveshja për temat ekonomike, për të cilat i diskutua të enjten në Shtëpinë e Bardhë.

“Nesër presim që ta finalizojmë të gjithë këtë angazhim që kemi pasur tash e sa kohë dhe diskutimet që patëm sot”, tha kryeministri Hoti. Edhe presidenti Vuçiç tha se shpreson në një marrëveshje për tema të interesit të përbashkët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë