Shtetet e Bashkuara të Amerikës i lëshojnë një mesazh të fortë ndaj prokurorisë shqiptare sa i përket hetimeve të nisura për çështjet e ndryshme të korrupsionit apo ndaj krimit të organizuara. Ka qenë pikërisht e ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Tiranë, Leyla Moses Ones, e cila gjatë aktivitetet të organizuar në Ministrinë e Brendshme për eventin për “Menaxhimin e çështjes” ka dhënë mesazhin se Uashingtoni pret më shumë nga prokuroria. Gjithashtu ajo theksoi se edhe SHBA po jep ndihmën e saj në këtë drejtim
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të sjellë së shpejti prokurorët e SPAK, të prokurorisë së posaçme të Antikorrupsionit dhe më pas Byronë Kombëtare të Hetimit. Ndihma jonë për Këshillin e Lartë Gjyqësor së shpejti do të çojë në krijimin e Gjykatës Kundër Korrupsionit. Zyrtarë të Departamentit Amerikan të Drejtësisë po këshillojnë prokurorët shqiptarë, të cilët tashmë po ndjekin çështje penale të dukshme dhe ne presim më shumë”, deklaroi Moses Ones.
Gjithashtu mesazhi i dytë që u dha në këtë takim ishte edhe ai se nuk ka kthim pas nga reforma dhe se do të punojnë me institucionet aktuale që duan të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“SHBA mbështesin të gjitha institucionet e reja të Shqipërisë të tilla si Këshillat dhe SPAK, si dhe institucionet ekzistuese që janë të gatshme që të luftojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Reforma në drejtësi po ecën përpara dhe nuk do të ndalet”, theksoi zv.ambasadorja e SHBA-së.
Gjithashtu ajo shprehu mirënjohjen për punën që ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit ka bërë duke i dhënë mbështetje programit të menaxhimit policor të çështjes, ku sipas saj kapaciteti që jep ky institucion është vendimtar për reformimin e sistemit të drejtësisë, për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për sigurinë e Shqipërisë.
Duke folur për policinë shqiptare, përfaqësuesja e ambasadës amerikane u shpreh se SHBA do të ndihmojë në modernizimin e mëtejshëm të uniformave blu.
“SHBA do të asistojë në modernizimin e policisë shqiptare. Modernizimi i policisë në Shqipëri bën që krimi të luftohet më lehtë”, tha Moses Ones.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj mbështeti qëndrimet e zyrtares së ambasadës, duke theksuar “jemi në fazën vendimtare dhe se reforma në drejtësi nuk ka kthim pas”.
Lleshaj tha se modernizimi i policisë bën që të luftohet më mirë krimi. “Është bërë tepër punë në modernizimin e policisë. Modernizimi i polici i jep forcave policore epërsi ndaj krimit. Policia shqiptare është e vendosur në rrugën e saj për të luftuar kriminalitetin”, tha Lleshaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




