Nga Gazeta ‘SI’ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur një qëndrim të qartë dhe të palëkundur lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes Aktit të Demokracisë për Ballkanin Perëndimor.
Një nga mesazhet kyçe të këtij akti lidhet me refuzimin e qartë të çdo politike që synon shkëmbime territoresh apo rivizatime kufijsh. SHBA bën të ditur se nuk do të ndjekë dhe as do të mbështesë iniciativa që promovojnë ndarjen territoriale apo ndryshimin e kufijve mbi baza etnike në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Ky akt e pozicionon dialogun mes dy vendeve brenda një kuadri politik që refuzon kategorikisht çdo ide për ndarje territoriale apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike.
Po ashtu, dokumenti thekson rëndësinë e mbështetjes së demokracive pluraliste në rajon, si një mënyrë për të parandaluar rikthimin e tensioneve dhe konflikteve etnike që kanë shënuar të kaluarën e Ballkanit.
Në të njëjtën kohë, Uashingtoni rithekson se një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në njohjen reciproke, e cila shihet si themel i paqes dhe stabilitetit afatgjatë.
SHBA u bën gjithashtu thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përparojnë sa më shpejt në zbatimin e Aneksit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja, duke nënvizuar se progresi konkret në këtë drejtim do të hapte rrugën për një angazhim më të madh amerikan në fazat e ardhshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




