Edhe pse Bashkimi Europian vazhdon hesht, Shtetet e Bashkuara kanë thëne sot se janë kundër shpërbërjes së Bosnjës, pas një propozimi radikal për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor që i atribuohet gjerësisht Sllovenisë.
"Shtetet e Bashkuara vlerësojnë thellësisht partneritetin e tyre të gjatë me Bosnjë Herzegovinën. Ne mbështesim sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, respekti për të cilin ishte përfshirë në Marrëveshjet e Paqes të Dejtonit," tha një zëdhënës i departamentit të shtetit, duke komentuar deklaratat e fundit për ndryshimin e kufijve në Ballkan.
Komentet u ngritën pasi një dokument politik jozyrtar, i cili doli në dritë më parë këtë javë, propozonte bashkimin Kosovë-Shqipëri dhe bashkimin e Republikës Srpska me Serbinë. Letra shkonte edhe më tej duke propozuar shpërbërjen e Bosnjës duke thënë se pjesa kroate e republikës duhet të bashkohen me Kroacinë dhe pjesa tjetërdo të bëhet një shtet i pavarur për Boshnjakët (Myslimanët e Bosnjës). Megjithatë, SHBA nuk ka komentuar për pjesën e dytë të letrës, që parashikon bashkimin Kosovë-Shqipëri, duke nxitur shqetësime në Serbi.
Në qarqet diplomatike askush nuk e beson se kryeministri i Sllovenisë, Janez Janša, i cili merr përsipër presidencën simbolike të BE në korrik, ishte autori i vërtetë i kësaj letre. Kjo konfirmohet edhe nga diplomatët amerikanë, të cilët thonë se në mënyre anonime se autorja e letrës nuk është Sllovenia.
Por nga ana e tij, Janša po hesht, duke mos konfirmuar apo mohuar raportet, pavarësisht reagimeve negative. Kur u pyet nëse ai e kishte dërguar letrën në Bruksel, stafi i tij u përgjigj: "Zyra e Kryeministrit të Republikës së Sllovenisë nuk e komenton më tej temën për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor ".
Ndërkohë ekserpertët amerikane thonë se ndryshimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor shihet gjerësisht si një recetë për kaos.
“Ideja e ndryshimit të kufijve është e rrezikshme”, thotë Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit në Austri.
Ai përmend rrezikun e veçantë në Ballkan, ku është përfolur se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë e kanë konsideruar shkëmbimin e mundshëm të territoreve, tre vjet më parë.
Por, ai po ashtu paralajmëron për përhapjen e paqëllimtë të rrezikut në vende si Ukraina, ku Rusia ka aneksuar Krimenë shtatë vjet më parë dhe vazhdon të mbështesë separatistët e armatosur.
“Ishte shumë e rrezikshme të flitej për ndryshimin e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, e kjo është edhe më e rrezikshme në Bosnje, sepse do të përfshinte jo vetëm një proces jokonsensual, por do t’i ndikonte edhe njerëzit kundër vullnetit të tyre, si dhe do ta flakte qasjen e komunitetit ndërkombëtar, që ka qenë në fuqi qysh në vitin 1991, e që do të thotë se asnjë ndryshim kufiri përgjatë vijave etnike nuk është i pranueshëm”, thotë Bieber.
Bosnje e Hercegovina është përballur me probleme pothuajse konstante të qeverisjes, që nga krijimi i saj me dy njësitë etnike.
Brukseli dhe përfaqësuesi i tij i lartë për politikën e jashtme, Josep Borrell, kanë theksuar vazhdimisht dëshirën e bllokut për të parë një angazhim më të madh të zyrtarëve të Bosnjës për reforma, që do t’i mundësonin vendit të përparonte drejt BE-së.
Por, çështjet e pazgjidhura, përfshirë paqëndrueshmërinë e vazhdueshme politike të Bosnjës, vazhdojnë.
Sipas informacionit të kësaj gazete, dokumenti me titull "Ballkani Perëndimor, rruga përpara", iu dorëzua kabinetit të Michel në shkurt. Kush e ka shkruar nuk mund të dihet zyrtarisht. Sipas burimeve tona, sigurisht që nuk është krijuar në Ministrinë Sllovene të Punëve të Jashtme. Një pjesë e përmbajtjes së tij supozohet të jetë e shkruar në Budapest. Sidoqoftë, ai përmendet në qarqet diplomatike të Brukselit si një dokument "slloven", pasi kabineti i Janša thuhet të ketë marrë pjesë në dërgimin e tij në adresa të ndryshme. Meqenëse është një dokument diplomatik jozyrtar që synon të komunikojë pozicione dhe iniciativa të ndryshme pa karakter zyrtar, ai nuk ka as kokë dhe as nënshkrim, prandaj nuk paraqet pozicionin zyrtar të Sllovenisë. Megjithatë, edhe pse nuk i “dihet i zoti”, ky propozim joformal për ndryshimin e kufijve ka hapur diskutime të shumta në Ballkan. Përmbajtja e tij është në kundërshtim të plotë me të gjitha dokumentet e vlefshme mbi të cilat mbështetet politika e jashtme e Sllovenisë. Për më tepër, dokumenti duket se është bërë me porosi nga qarqet nacionaliste serbe dhe kroate, të cilat kanë punuar për të copëtuar Bosnje dhe Herzegovinën për tre dekada.
E zezë në të bardhë: Si të copëtohet BiH
Dokumenti përmend kështu në hyrje "çështjet e pazgjidhura kombëtare të serbëve, shqiptarëve dhe kroatëve" që u shfaqën pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Autorët e dokumentit theksojnë se edhe pas vendosjes së paqes pas përfundimit të luftërave dhe perspektivave të premtuara europiane, çështjet kryesore mbeten të pazgjidhura. Dokumenti shkruan fjalë për fjalë:
- që Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila mori më shumë se 100,000 jetë, praktikisht njohu atë që ishte shkaktuar nga lufta, por nuk solli përparim.
- që për momentin është e vështirë të imagjinosh perspektivat europiane të Serbisë dhe Kosovës.
- që anëtarësimi i Bosnjës në BE mund të përjashtohet plotësisht.
- që trazirat dhe mungesa e angazhimit të fuqive përëndimore janë përdorur nga Turqia, e cila ka rritur ndikimin e saj në Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut.
- që përveç Turqisë, një sërë politikanësh lokalë dhe mbështetësit e tyre, përfitojnë personalisht nga kaosi dhe institucionet jofunksionale dhe askush nuk është i kënaqur me situatën në Bosnjë.
Në pjesën kryesore të dokumentit, jepen "zgjidhjet" e propozuara për problemet e përshkruara më sipër. Autorët e dokumentit theksuan se Serbia, Kroacia dhe Shqipëria aktualisht kanë qeveri të qëndrueshme dhe se politikanët e tyre të zgjedhur janë të aftë të marrin vendime strategjike. Atëherë, çfarë sugjerojnë ata?
1) Bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë. "Në Kosovë, 95 për qind e popullsisë dëshiron të bashkohet me kombin vendas shqiptar. Situata është e ngjashme në Shqipëri. Kufiri midis Shqipërisë (një anëtar i NATO-s) dhe Kosovës është praktikisht inekzistent. Veriu i Kosovës do të status special duke ndjekur shembullin e Tirolit të Jugut ", thuhet në dokument. Tiroli i Jugut është një provincë autonome në Italinë veriore, ku shumica e popullsisë është flasin gjermanisht.
2) Bashkimi i pjesës më të madhe të territorit të Republika Srpska me Serbinë. Në këtë rast, Serbia është e gatshme të bjerë dakord për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë," thekson dokumenti.
3) "Çështja kombëtare kroate mund të zgjidhet duke bashkuar kantonet me shumicë kroate të Bosnjës me Kroacinë ose duke i dhënë status të veçantë pjesës kroate të Bosnjës (duke përdorur modelin e Tirolit të Jugut)."
4) "Kjo do t'u jepte boshnjakëve një shtet të pavarur që funksionon dhe do të merrte përgjegjësinë e plotë për të. Në një referendum, njerëzit do të vendosnin nëse do të bashkoheshin me BE ose për një të ardhme jashtë BE (duke ndjekur shembullin e Turqisë. Tani për tani, një shumicë dërrmuese e boshnjakëve mbështesin perspektivën e BE-së dhe një rritje e mprehtë e ndikimit turk dhe islamik radikal, situata mund të përkeqësohet në mënyrë drastike gjatë dekadës tjetër ".
Dokumenti nuk parashikon aneksimin e pjesës perëndimore të Maqedonisë Veriore dhe zonës së Preshevës dhe Bujanovcit në Shqipëri, duke bërë kështu që komunat me shumicë shqiptare dhe malazeze të mos “preken”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.