Kosova

SHBA kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, zyrtari i lartë i DASH të hënën në Kosovë

Gazeta Si – Shtetet e Bashkuara të Amerikës vihen në lëvizje për shtensionim e situatës, pas incidenteve të ndodhura ditët e fundit në veri të Kosovës.

Mbajtja e zgjedhjeve në 4 komunat me shumicë serbe, kontestimi i Listës Serbe ka rritur tensionet dhe për këtë së fundmi vetë ambasadori amerikan në Kosovë, Honiever, ka kërkuar që qeveria Kurti të shtyjë zgjedhjet, duke e cilësuar një kohë të papërshtatshme mbajtjen e tyre.

Kështu, mësohet se Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të nisë të hënën një vizitë në Kosovë. Ai do të jetë i shoqëruar nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Derek Chollet, zyrtari emrikan qe pritet te vizitoje Kosoven. Gazeta Si, 8 dhjetor 2022

Në një reagim për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka deklaruar se “Escobar udhëton shpesh në rajon dhe do të jetë aty për konsultime të rregullta”.

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se vendimi për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve pritet të merret brenda dy-tre ditëve. “Si rregull, ekzistojnë kritere që janë caktuar nga Komisioni i Venecias për çështje të shtyrjes së zgjedhjeve. Në rastet kur ligji shprehimisht nuk e parasheh të drejtën e shtyrjes së zgjedhjeve, siç është rasti i Kosovës, atëherë duhet të bëhet vlerësimi nga institucionet e sigurisë.

Ky vlerësim duhet të trajtohet në KQZ dhe në KQZ duhet të ketë një pajtim për të propozuar një gjë të tillë, nëse ata e vlerësojnë. Më pas ai propozim vjen në Presidencë, mirëpo Komisioni i Venecias i kërkon Presidencës patjetër të konsultojë partitë politike”, – tha Osmani.

Më 6 dhjetor, disa grupe të qytetarëve serbë kanë penguar hyrjen e zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor në zyrat e këtij institucioni në veri, me qëllim të përgatitjes për zgjedhje dhe kështu kanë shkaktuar incidente me armë zjarri. Për incidente të tilla është raportuar në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Një ditë më vonë në Mitrovicë të Veriut është raportuar për dy shpërthime me bomba. Zgjedhjet për komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – janë caktuar për më 18 dhjetor, pasi kryetarët e tyre kanë dhënë dorëheqje si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të targave serbe në RKS – Republika e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë