Kosova

SHBA kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, Osmani: E vendosin institucionet e sigurisë

Gazeta Si – Incidentet e ndodhura në veri të Mitrovicës në prag të zgjedhjeve të 18 dhjetorit, në 4 komunat me shumicë serbe, kanë shqetësuar ndërkombëtarët. Së fundmi ambasadori i SHBA-ve, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve lokale, duke deklaruar se nuk janë krijuar kushtet dhe koha nuk është e duhura.

Pas kësaj kërkese ka ardhur edhe reagimi i presidencës së Kosovës, e cila duket se nuk do të tërhiqet nga vendimi i saj për të mbajtur zgjedhjet. Apelin e ndërkombëtarëve presidentja Vjosa Osmani ua ka lënë për zgjidhje vetë institucioneve të sigurisë që të marrin një vendim përfundimtar.

“Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venecias, presidentja Osmani do t’i ftojë subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, – tha për mediat Bekim Kupina, këshilltar i Osmanit.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç e Zveçan – u shpallën pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë