Nga Gazeta ‘Si’– Pas deklaratës së SHBA e cila i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e autoriteteve financiare për ndalimin e dinarit serb, ka reaguar zvkryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Në një konferencë për media me Ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak,Bislimi ka insistuar në zbatim të Kushtetutës në të gjitha rastet.
“Kur është fjala te neni 11 i Kushtetutës, që thotë ka vetëm një monedhë në qarkullim në Kosovë, të njëjtit miq na thonë ‘po këtë mos e zbatoni’. Kushtetuta, ose është e shenjtë, dhe duhet të zbatohet, ose pastaj bëjmë cherry picking [përzgjedhjen më të favorshme]. Nëse duhet të bëjmë cherry picking, po e bëjmë ne. Nëse duhet të zbatohet, atëherë insistoni që të zbatohet në të gjitha rastet”, ka thënë ai.
Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.
Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.
Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim, t’i adresojë shqetësimet e shprehura prej komunitetit ndërkombëtar, dhe të ofrojë kohë për zbatim të vendimit, për të zbutur ndikimin që mund të ketë ai te banorët për të cilët vlen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




