Analize

SHBA-ja dhe Turqia, dy miqtë që u kthyen në armiq

Amerika po përgatitet të humbasë një nga aleatët më të vyer në Lindjen e Mesme, ndërkohë që Turqia duket se po bëhet gati për krizën më të madhe ekonomike të dekadës së fundit. Pas vitesh të tëra duke luajtur me njëri tjetri si macja me miun, herë si aleatë e herë si armiq, SHBA-ja dhe Turqia kanë hedhur tashmë të gjitha letrat në tavolinë. Presidentit Donald Trump dhe homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, nuk u mbetet gjë tjetër veçse të vendosin për rrugën që do të marrin dy vendet e tyre. Përplasja politike është kthyer tashmë në një betejë ekonomike, që ka lënë viktimën e saj të parë: lirën turke. Monedha e Turqisë ka pësuar rënie të pashembullt ndaj dollarit amerikan, pasi Presidenti Trump miratoi një sërë sanksionesh shkatërruese ndaj Ankarasë.

Nga aleatë në kundërshtarë?

Arrestimi i pastorit amerikan, Andrew Brunson, pothuajse dy vjet më parë, duket se ka çuar në një shpërthim diplomatik që kërcënon shkatërrimin e plotë ekonomik në Turqisë. Brunson, ashtu si shumë shtetas të huaj që u arrestuan pas grushtit të shtetit në vitin 2016, është akuzuar për lidhje me terrorizmin. Përplasja diplomatike midis SHBA-së dhe Turqisë mund të përfundojë vetëm dy mënyra:  me një kompromis që do të çonte drejt rikuperimit të marrëdhënieve, ose me shkëputje të plotë që do të kishte pasoja shkatërruese si për ekonominë e Turqisë ashtu edhe për interesat rajonale strategjike të Amerikës. Sido që të shkojë, tanimë nuk ka kthim pas. Administrata e Presidentit Donald Trump ka vënë sanksione ndaj ministrit të brendshëm turk dhe atij të drejtësisë. Erdogan kërcënoi se do të merrte hak. Të mërkurën, një grup avokatësh pro qeveritarë në Turqi kanë ngritur akuza kundër disa zyrtarëve amerikanë në bazën ajrore Incirlik, duke i akuzuar edhe ata për lidhje me grupet terroriste. Zyrtarët turq kanë kërkuar që të gjitha aktivitet në bazën ushtarake të pezullohen përkohësisht dhe të lëshojnë një urdhër kërkimi për qytetarët amerikanë.

Këto tensione vijnë si akumulim i viteve të tëra të pakënaqësisë. Mbështetja e Kongresit amerikan për Turqinë, është dobësuar për shkak të autoritarizmit, shkeljes të të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit të Ankarasë me Rusinë dhe Iranin. Planet e Turqisë për të blerë 2 miliardë dollarë raketa “S-400,” pavarësisht kundërshtimit të NATO dhe kufizimit  që ajo do të sillte për përdorimin të bazës Incirlik, duket se kanë zemëruar edhe më shumë Uashingtonin. Ndjenja është reciproke. Erdogan nuk e ka harruar ende mënyrën se si aleatët e tij ndenjën duarkryq pas tentativës për grusht shteti. Udhëheqësi turk është gjithashtu i zemëruar për mbështetjen e amerikanëve ndaj milicive kurde që luftojnë kundër shtetit islamik në Sirinë veriore. Pak muaj më parë, ai kërcënoi trupat amerikane se do të përballeshin me një "shuplakë otomane" nëse përpiqeshin të bllokonin inkursionin ushtarak të Turqisë në Sirinë veriperëndimore.

Një nga arsyet kryesore të përplasjeve ka qenë vendimi i qeverisë amerikane për mos esktradimin e armikut më të madh të Erdogan, klerikut Fethullah Gulen, të cilin Presidenti turk e akuzon për organizimin e grushtit të shtetit. Vendimi i Trump për braktisjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin përkeqësoi edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve, pasi gati gjysma e importeve të naftës në Turqi, vjen nga Irani. Rivendosja e sanksioneve kundër Iranit dëmton ekonominë e Turqisë. Arrestimi i Brunson e bëri të pamundur të injoroheshin të gjitha këto përplasje. Por kjo nuk do të thotë se administrata Trump është bërë një avokate e të drejtave të njeriut në Turqi. Përkundrazi, Trump shprehu vetëm falënderime për Erdoganin kur u takuan në vitin 2017.  Administrata Trump ka heshtur për arrestimet e tjera të shtetasve amerikane dhe të huajve të tjerë në Turqi, por ishte shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për lirimin e Brunson. Deri më tani kjo marrëveshje nuk është arritur. Erdogan duket se po sakrifikon ekonominë turke në mënyrë që ta mbajë pastorin amerikan një as nën mëngë kundër Trump.

 Presidenti Recep Tayyip Erdogan takohet me Presidentin Donald Trump, New York 

Erdogan “sfidon” Trump nëpërmjet “New York Times”

Në një editorial për gazetën amerikane “New York Times” Erdogan jepte një tjetër panoramë të mënyrës si e Turqia e sheh krizën me qeverinë amerikane. Lideri turk shkruante se SHBA-ja ka qenë një ndër nga aleatët më të mëdhenj të Turqisë dhe se duhet të vazhdojë të tregojë mbështetjen e saj. Por ai nuk nguroi të paralajmëronte Trump se nuk i trembej kërcënimeve të Amerikës dhe se shumë shpjet Turqia mund të vihet në kërkim të aleatëve të rinj.

Erdogan shkruante se: “Gjatë gjashtë dekadave të kaluara, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë partnerë strategjikë dhe aleatë të Nato-s. Dy vendet tona kanë qenë krah njëra-tjetrës kundër sfidave të përbashkëta gjatë Luftës së Ftohtë dhe pasojave të saj. Gjatë viteve, Turqia ka ndihmuar e Amerikën sa herë ka qenë e nevojshme. Ushtarakët tanë si femra ashtu edhe meshkuj, derdhën gjak në Kore. Në vitin 1962, administrata Kennedy arriti t’i bënte sovjetikët të hiqnin raketat nga Kuba, duke hequr vetë raketat “Jupiter” nga Italia dhe Turqia. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, kur Uashingtoni u mbështet tek miqtë dhe aleatët e tij për të goditur sulmuesit, ne dërguam trupa në Afganistan që të ndihmonim Nato-n të përmbushte misionin atje.

Ende Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë kuptuar dhe nuk i kanë respektuar shqetësimet e popullit turk. Gjatë viteve të fundit partneriteti ynë është vënë në provë nga mosmarrëveshjet. Fatkeqësisht, përpjekjet tona për të ndryshuar këtë prirje të rrezikshme, rezultuan të pavlera. Derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës të fillojnë të respektojnë sovranitetin e Turqisë dhe të vërtetojnë se kuptojnë rrezikun me të cilin përballet vendi ynë, partneriteti mund të vihet në rrezik.

Më 15 korrik 2016, Turqia u sulmua nga anëtarët e një grupi të errët të drejtuar nga Fetullah Gylen, i cili udhëheq organizatën e tij, zyrtarisht të përshkruar nga qeveria ime si Organizata Terroriste Fetullah, nga një kompleks në Pansilvaninë rurale. Gylenistët u përpoqën për një grusht shteti të përgjakshëm kundër qeverisë sime. Gjatë asaj nate, miliona njerëz dolën nëpër rrugë të nxitur nga patriotizmi, një situatë e ngjashme me atë që populli amerikan përjetoi pas sulmit në “Pearl Harbour” dhe sulmeve të 11 shtatorit. 251 njerëz të pafajshëm, përfshirë këtu Erol Olcok, miku im i ngushtë prej kohësh edhe menaxher i fushatës, dhe djali i tij Abdullah Tayyip Olcok, paguan çmimin e fundit për lirinë e vendit tonë. Nëse “skuadra e vdekjes”, e cila erdhi pas meje dhe familjes sime, do të kishte qenë e suksesshme, do t’i isha bashkuar edhe unë.

Populli turk priti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dënonin qartazi këtë sulm dhe të solidarizoheshin me lidershipin e zgjedhur të Turqisë. Por nuk vepruan ashtu. Reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte larg një reagimi të kënaqshëm. Në vend që të mbështesnin demokracinë turke, zyrtarët e SHBA-së bënë thirrje për stabilitet dhe paqe në Turqi. Ajo çfarë i përkeqëson edhe më tej çështjet, është fakti se nuk është bërë progres rreth kërkesës së Turqisë për ekstradimin e Fetullah Gulen nën një marrëveshje bilaterale.

Presidentët Erdogan dhe Trump takohen në Shtëpinë e Bardhë

Një tjetër burim irritimi ka lidhje me partneritetin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe PYD/PKK, degë siriane e PKK-së, një grup i armatosur që është përgjegjës për vdekjen e mijëra qytetarëve turq që prej vitit 1984 dhe që SHBA-ja e ka përcaktuar si grup terrorist. Sipas vlerësimeve të autoriteteve turke, Uashingtoni përdori 5 mijë kamionë dhe 2 mijë aeroplanë për t’i dërguar armë PYD/YPK-së gjatë viteve të fundit. Qeveria ime ka ndarë vazhdimisht shqetësimin me zyrtarët amerikanë rreth vendimit të tyre për të trajnuar dhe furnizuar aleatët e PKK-së në Siri. Fatkeqësisht, fjalët tona kanë rënë në vesh të shurdhët dhe armët amerikane kanë përfunduar duke u përdorur për të vënë në shënjestër civilë dhe anëtarë të forcave të sigurisë në Siri, Irak dhe Turqi.

Gjatë javëve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një sërë hapash për të përshkallëzuar tensionet me Turqinë duke cituar arrestimin nga policia turke të qytetarit amerikan Andreë Brunson nën akuzat se ka ndihmuar një organizatë terroriste. Në vend që të respektojnë procesin gjyqësor, ashtu sikurse i bëra thirrje presidentit Trump, SHBA-ja kërcënoi haptazi një vend mik dhe vijoi me vendosjen e sanksioneve kundër disa anëtarëve të kabinetit. Ky vendim ishte i papranueshëm, i paarsyeshëm dhe i dëmshëm për miqësinë tonë të vjetër.

Për të treguar se Turqia nuk trembet para kërcënimeve, ne u kundërpërgjigjëm duke iu vënë sanksione disa zyrtarëve amerikanë. Ne do të vazhdojmë me të njëjtin parim: Tentativa për të detyruar qeverinë time të ndërhyjë në një proces gjyqësor nuk është në përputhje me Kushtetutën tonë apo vlerat tona demokratike. Turqia e ka bërë të ditur shpesh se do të shohë punën e saj, nëse SHBA-ja refuzon të dëgjojë. Në vitet 1970, qeveria turke ndërhyri për të parandaluar masakrën ndaj turqve etnikë nga qipriotët grekë, pavarësisht kundërshtimeve të Uashingtonit. Së fundi, dështimi i Uashingtonit për të kuptuar seriozitetin e shqetësimeve tona sa i përket kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare që vijnë nga Siria veriore, rezultoi në dy inkursione ushtarake që ndërprenë aksesin e militantëve të Shtetit Islamik ISIS në kufijtë e Nato-s dhe hoqën militantë e YPG-së nga qyteti Afrin. Në raste të ngjashme, ne do të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat tona kombëtare.

Në një kohë kur të këqijtë vazhdojnë të fshihen nëpër botë, veprimet e njëanshme kundër Turqisë nga SHBA-ja, aleates sonë prej dekadash, do të shërbejnë vetëm për të minuar interesat dhe sigurinë amerikane. Përpara se të jetë shumë vonë, Uashingtoni duhet të heqë dorë nga nocioni i gabuar se marrëdhënia jonë mund të jetë asimetrike dhe të kuptojë faktin se Turqia ka alternative. Dështimi për të ndryshuar tendencën e njëanshmërisë dhe mosrespektimit, do të na bëjë të kërkojmë aleatë dhe miq të rinj.”

Burimet: "New York Times", "Foreing Policy", "Bloomberg" 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë