Gazeta Si – Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë pranuar propozimin e Pakistanit për armëpushim: bombardimet do të pezullohen për dy javë dhe regjimi iranian do të rihapë Ngushticën e Hormuzit.
Izraeli e ka shpallur Libanin të përjashtuar nga marrëveshja. Trump e pranoi armëpushimin pak para skadimit të një ultimatumi në të cilin ai kishte premtuar bombardime të gjera të infrastrukturës iraniane; ai më herët përdori fjalë shumë të ashpra, duke thënë se nëse Irani nuk do të bënte atë që donte – të rihapte Hormuzin – qytetërimi iranian do të “vdiste” atë natë.
Pakistani, i cili ka vepruar si ndërmjetës, i ka ftuar të dyja palët për bisedime në Islamabad të premten, për “zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve.”
Irani ka një plan me 10 pika për armëpushimin, të cilat janë:
1.Ndërprerje e plotë e luftës në Irak, Liban dhe Jemen
2.Ndërprerje e plotë dhe e përhershme e luftës kundër Iranit, pa kufi kohor
3.Përfundimi i të gjitha konflikteve në rajon në tërësinë e tyre
4.Rihapja e Ngushticës së Hormuzit
5.Vendosja e një protokolli dhe kushteve për të garantuar lirinë dhe sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit
6.Pagesa e plotë e kompensimit për kostot e rindërtimit për Iranin
7.Angazhim i plotë për heqjen e sanksioneve ndaj Iranit
8.Lirimi i fondeve iraniane dhe aseteve të ngrira të mbajtura nga Shtetet e Bashkuara
9.Irani angazhohet plotësisht të mos kërkojë zotërimin e armëve bërthamore
`10.Armëpushimi i menjëhershëm hyn në fuqi në të gjitha frontet sapo të miratohen kushtet e mësipërme.
Presidenti Trump ka postuar në “Truth Social”, duke u shprehur se është një “ditë e madhe për Paqen Botërore!”
“Irani dëshiron që kjo të ndodhë, atyre u ka ardhur në majë të hundës! Po ashtu edhe të gjithëve të tjerëve!”.
Donald Trump thotë se nuk ka asnjë dyshim që SHBA-të kanë arritur një “fitore totale dhe të plotë” pas arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim dyjavor me Iranin.
Në një intervistë për Agence France-Presse pas njoftimit të tij, ai tha se uraniumi i pasuruar i Iranit do të “trajtohet në mënyrë të përsosur” sipas marrëveshjes.
“Ose përndryshe nuk do ta kisha pranuar,” tha Trump, pa dhënë detaje konkrete se çfarë do të ndodhë me uraniumin.
Gazeta izraelite “Haaretz” raporton se, sipas burimeve të saj, qeveria e udhëhequr nga Benjamin Netanyahu nuk është e bindur për mundësinë e arritjes së një kompromisi afatgjatë me Iranin dhe do të donte të vazhdonte sulmet.
Në të vërtetë, deklarata që njofton mbështetjen e saj për vendimin e Trump është mjaft lakonike. Për më tepër, Izraeli pohon se marrëveshja SHBA-Iran nuk ka të bëjë me Libanin; në postimet e tij në Social Truth, Trump nuk e përmendi atë në mënyrë të qartë, por shkroi në përgjithësi se armëpushimi do të kishte efekte të dobishme në të gjithë Lindjen e Mesme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje