Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj industrisë së naftës të Rusisë, sanksione që kanë shënjestruar edhe kompaninë serbe, Industria e Naftës së Serbisë, NIS.
Thesari amerikan tha se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, me seli në Rusi.
Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.
Këtyre sanksioneve u është bashkuar edhe Britania.
Thesari tha se ka ndërmarrë masa gjithëpërfshirëse për të përmbushur angazhimin e G7-ës për të ulur të ardhurat energjetike të Rusisë që përdoren për luftën kundër Ukrainës.
Administrata në largim amerikane e demokratit Joe Biden, i cilësoi sanksionet e fundit si më të rëndësishmet deri më tani ndaj sektorëve të naftës dhe gazit të lëngshëm natyror të Moskës, që forcojnë ekonominë ruse.
Vuçiç: Sanksione të rënda dhe serioze
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi në një konferencë për shtyp më 10 janar, pas këtij publikimi nga Departamenti amerikan i Thesarit, se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.
“Ata nuk lejojnë mundësinë e 49 për qind ose më pak kapital rus”, tha presidenti Vuçiç.
Ai shtoi se Serbisë i janë vendosur afate për të kryer transformimin e pronësisë së NIS-it. Presidenti serb theksoi se NIS-i do të mund të vazhdojë të funksionojë vetëm “në mënyrë të rregullt”, ndërsa transformimi i pronësisë duhet të fillojë menjëherë.
Vuçiç tha se SHBA-ja ka paralajmëruar mundësinë e konsultimeve me Serbinë lidhur me sanksionet, “gjë që ne do ta shfrytëzojmë që nesër”.
“Plani për transformimin e pronësisë duhet të miratohet nga OFAC (Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja), brenda Departamentit amerikan të Thesarit”, tha Vuçiç.
Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj mëmë Gazprom.
Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.
Pjesa tjetër u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.
Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.
NIS-i, përndryshe, zotëron më shumë se 400 pika karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit: Bosnje dhe Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Kompanive të Naftës në Serbi, Tomisllav Miqoviq, ka thënë më herët se sanksionet eventuale do të ndikonin në tregun serb të derivateve të naftës, por shtoi se për të gjitha pengesat që mund të dalin, ka zgjidhje dhe se furnizimet nuk do të ndërpriten.
“Unë jam i bindur se ato sanksione – çfarëdo qofshin ato, nëse miratohen – nuk janë të drejtuara kundër Serbisë. Ndaj, besoj se do të gjendet një zgjidhje për të garantuar furnizim të sigurt të tregut vendas”, thotë Miqoviq për Radion Evropa e Lirë.
Nafta në Serbi importohet kryesisht përmes një tubacioni me të cilin operon kompania JANAF në Kroaci. Përmes tij, nafta dërgohet në Kroaci, Hungari, Sllovaki dhe Serbi./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.