Në Kosovë kanë arritur 515 mijë e 970 vaksina Pfizer nga donacioni i SHBA-së.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë ceremonisë së pranimit të këtyre dozave është shprehur falënderuese ndaj SHBA-së për ndihmën e madhe ndaj Kosovës në luftën kundër COVID-19.
“Në muajin mars të vitit 2021, kur pandemia përbënte kërcënim serioz për të gjithë globin, i jam drejtuar me një letër presidentit amerikan Joe Biden me kërkesë për të na ndihmuar në sigurimin e vaksinave për qytetarët tanë në vendin tonë, në kohën kur kishim zero vaksina. Ishte situatë e ndjeshme kur rreziku nga virusi rritej gjithnjë e më shumë dhe kur vaksinat shiheshin si shpresë e vetme për të mbijetuar.
Përpjekjet tona për të siguruar vaksina u bënë pjesë e agjendës ditore. Angazhimi ynë dhe zemërgjerësia e miqve tanë bëri që ta rikthejmë shpresën për jetën dhe që të sigurojmë vaksina. Sikurse në vitin 1999, SHBA-ja sërish u dëshmua krah nesh, atëherë na shpëtuan nga vdekja prej luftës e sot na shpëtuan nga virusi COVID-19 përmes vaksinimit”, ka thënë Osmani.
Kryeministri Albin Kurti në konferencën për media pas donacionit foli për mundësinë e lirimit të masave tha se kjo gjë do të varet nga niveli i vaksinimit të qytetarëve

“Në një kohë kur rastet e infektimit janë duke rënë, disa mund të pyesin pse vaksinat vazhdojnë të jenë të domodosshme. Së pari imuniteti i fituar mes popullatës tonë ka filluar gradualisht që të bjerë. Pesë deri në gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë imuniteti bie në 10%.
Një rënie e tillë e imunitetit mund të krijojë kushtet për një valë të re të infektimeve, prandaj është e domosdoshme që qytetarët të vaksinohen me dozën e tretë. Lirimi i mëtejshëm i masave varet drejtpërsërdrejti nga niveli i vaksinimit në vend. Jam i vetëdijshëm për vështirësitë që janë shkaktuar nga masat sidomos në aspektin ekonomik. Vaksinat vazhdojnë të jenë jetike”, tha Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




