Presidenti i SHBA Donald Trump ka urdhëruar një hetim mbi taksën e planifikuar të Francës për gjigantët e teknologjisë – një masë që mund të rezultojë me tarifa të reja nga SHBA ose kufizime të tjera tregtare. Administrata amerikane tha se SHBA ishte “shumë e shqetësuar” se tatimi është një padrejtësi për kompanitë amerikane.
Të enjten, parlamenti francez pritet të miratojë një taksë prej 3% për të ardhurat e bëra brenda vendit nga kompani të tilla si Google dhe Facebook. Franca argumenton se këto firma aktualisht shfrytëzojnë dobësitë e taksave globale. Çdo kompani dixhitale me të ardhura prej më shumë se 750 milion euro – prej të cilave së paku 25 milion euro është prodhuar në Francë – do të jetë subjekt i tatimit.
Çfarë ka thënë SHBA?
Hetimi i SHBA mund të hapë rrugën për tarifat ndëshkuese, të cilat Trump ka vendosur në disa raste që nga marrja e detyrës. Hetimet e mëparshme të nisura nga Uashingtoni kanë mbuluar praktikat tregtare të Bashkimit Evropian dhe Kinës.
Hetimi i fundit u mirëprit nga kryetari i Komitetit të Financave të Senatit, Chuck Grassley dhe Senatori Ron Wyden.
“Taksat e shërbimeve digjitale që po ndjekin Franca dhe vendet e tjera evropiane janë qartësisht proteksioniste dhe në mënyrë të padrejtë i synon kompanitë amerikane në një mënyrë që do të kushtonte vendet e punës në SHBA dhe do të dëmtonte punëtorët amerikanë”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët.
Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA Robert Lighthizer tha se Presidenti Trump urdhëroi hetimin. Zyra e z.Lighthizer do të mbajë seanca dëgjimore gjatë disa javëve përpara se të lëshojë një raport përfundimtar dhe të bëjë rekomandime. “Nëse Franca do të marrë qindra miliona euro nga xhepat e gjigantëve amerikanë të teknologjisë, mund të jetë argumenti amerikan, atëherë pse nuk duhet të fitojnë më shumë para nga ato që bëjnë francezët në SHBA?”, tha zyra e z.Lighthizer. Vende të tjera – si Britania e Madhe, Spanja dhe Austria – po mendojnë për një lëvizje të ngjashme, por Franca është më pranë vendimmarrjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.