Bota

SHBA, gati paketa e re e ndihmës ushtarake prej 325 milionë dollarësh për Ukrainën

Gazeta Si – Siç ishte parashikuar nga mediat amerikane, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur një paketë të re dërgimi të armëve për Ukrainën me vlerë 325 milionë dollarë.

“Elasticiteti, guximi dhe vendosmëria e Ukrainës kanë frymëzuar botën dhe kanë nxitur përpjekjet e SHBA dhe globale për ta ndihmuar atë të mbrojë veten dhe të sigurojë të ardhmen e saj”, thuhet në një shënim nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

Paketa përfshin “sisteme të reja të mbrojtjes kundërajrore, municione artilerie, sisteme antitank si dhe municione thërrmuese, të cilat do të përmirësojnë më tej aftësinë e Ukrainës për të vazhduar kundërsulmin e saj”.

Premtimi i presidentit amerikan Joe Biden për një paketë të re ndihmash ushtarake prej 325 milionë dollarësh, duket se i ka kënaqur pritshmëritë e liderit Ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ky i fundit vizitoi Shtetet Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe të enjten u takua me Biden në Shtëpinë e Bardhë. Biden u zotua se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të vazhdojnë të qëndrojnë krah Ukrainës.

“Së bashku me aleatët dhe partnerët tanë do të vazhdojmë të garantojmë siguri dhe mbështetje për Ukrainën, për ta ndihmuar të përparojë drejt rimarrjes së territorit të vet. Rusia është e vetmja që po pengon paqen”, tha Biden.

“Falenderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidentin Biden, për ndihmën e re ushtarake për Ukrainën. Një ndihmë shumë e fuqishme. Shume faleminderit”, tha Zelensky.

Presidenti Biden tha se beson që Kongresi do marrë një “vendim të drejtë” lidhur me kërkesën e tij për më shumë fonde për Ukrainën. Komentet e Presidentit Biden lidhur me gatishmërinë e Kongresit për të rritur ndihmën për Ukrainën pasuan njoftimet se Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy, nuk e kishte pranuar kërkesën e Presidentit Zelensky për të mbajtur një fjalim para dy Dhomave të Kongresit amerikan.

Presidenti Zelensky zhvilloi një numër takimesh të enjten në Uashington, përfshirë me ligjvënës në Kapitol dhe me Sekretarin e Mbrojtjes në Pentagon, në përpjekje për forcuar mbështetjen për më shumë ndihmë për luftën e Ukrainës kundër Rusisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë