Gazeta Si – Presidenti Donald Trump tha se ushtria amerikane goditi tre objekte bërthamore iraniane, teksa Shtetet e Bashkuara u përfshin në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Trump njoftoi për “sukses spektakolar ushtarak” më 21 qershor, duke thënë se bombarduesit amerikanë goditën objektet bërthamore në Fordo, Natanz dhe Esfahan gjatë një përpjekjeje të përbashkët me Izraelin për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, pasi diplomacia dështoi ta kthente Teheranin në tavolinën e negociatave.
“Të gjithë i kanë dëgjuar këto emra për vite të tëra, teksa ata ndërtuan këtë ndërmarrje jashtëzakonisht shkatërruese”, tha Trump gjatë një fjalimi drejtuar kombit nga Shtëpia e Bardhë.
“Qëllimi ynë ishte shkatërrimi i kapacitetit të Iranit për pasurim të uraniumit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që paraqet sponsori numër një shtetëror i terrorizmit në botë”.
Trump, i cili vetëm dy ditë më parë tha se do të vendoste “brenda dy javësh” nëse do t’i bashkohej Izraelit në përpjekjet e tij për të shkatërruar objektet bërthamore iraniane, pretendoi se sulmet “shkatërruan plotësisht” objektet kyç të Iranit për pasurim të uraniumit.
“Irani, bullizuesi i Lindjes së Mesme, tani duhet të bëjë paqe. Nëse nuk bën, sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i madh dhe shumë më i lehtë”, tha Trump.
E ardhmja e Iranit, sipas presidentit amerikan, “ose ka paqe ose tragjedi”, duke shtuar se në Iran ka ende shumë caqe që mund të goditen.
“Nëse paqja nuk vjen shpejt, ne do t’i godasim caqet e tjera me precizitet”, tha ai, duke falënderuar ushtrinë izraelite dhe atë amerikane për realizimin e operacionit.
“Shpresoj të mos kemi më nevojë për shërbimet e tyre në këtë kapacitet. Shpresoj shumë”, u shpreh Trump, duke folur nga Shtëpia e Bardhë, teksa prapa tij gjendeshin nënpresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe ai i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Transmetuesi publik izraelit, KAN, citoi një zyrtar izraelit të ketë thënë se sulmet u kryen në koordinim të plotë me Uashingtonin.
Pas këtij deklarimi, një llogari e lidhur me Gardën Revolucionare iraniane publikoi në platformën X: “Tani ka nisur lufta”, duke e konsideruar sulmin amerikan një akt lufte të mirëfilltë.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e cilësoi sulmin e SHBA si “një sjellje kriminale» që do të ketë «pasoja të përjetshme”.
Një kanal televiziv i lidhur me Gardën Revolucionare Iraniane ka bërë një paralajmërim të fortë ndaj Shteteve të Bashkuara.
“Shtetet e Bashkuara do të përballen me pasojat e sulmit ndaj Iranit. Bazat e tyre në Lindjen e Mesme do të digjen dhe do të bëhen hi”, thuhet në deklaratën e bërë publike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.