Shtetet e Bashkuara janë të prerë ndaj qeverisë së Albin Kurtit sa i përket dialogut me Beogradin. Apeli kësaj here u lëshua nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”.
“Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur se çfarë presim nga të dyja palët. Nga pala e Kosovës kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare të zbatimit për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë. Nga pikëpamja jonë dhe ajo e partnerëve të Quintit, kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë. Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, tha ai.
Escobar e cilësoi si mjaft të rrezikshme siautën në veriun e Kosovës ku institucionet kanë mbetur pa punonjës serbë, të cilët u tërhoqën për shkak të mospajtimeve me vendimin e qeverisë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Ndërsa tërheqjen e serbëve e cilësoi si të padobishme.
Escobar tha se koha është për më shumë dialog dhe se Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të qarta gjatë procesit të bisedimeve se cilat janë pritshmëritë nga pala e Kosovës.
“Ne kemi qenë po ashtu shumë të qartë me palën serbe se pajtohemi që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë në rendin e ditës. Unë kam biseduar më një gamë të gjerë zërash brenda Kosovës që e mbështesin këtë dhe janë të vullnetshëm të ndihmojnë Kosovën të përmbushë detyrimet ndërkombëtare për këtë çështje”, theksoi zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Gjithashtu Escobar hodhi poshtë deklaratat e Kurtit se Serbia po përpiqet të maskojë refuzimin për planin franko-gjerman të propozuar për zgjidhjen përfundimtare.
“Sa i përket propozimit franko-gjerman është shumë herët për ne që të peshojmë përgjigjet. Kjo situatë, kjo krizë duhet të trajtohet për atë që është. Janë tensione që po rriten për shkak të mungesës së komunikimit, mungesës së bashkërendimit dhe mungesës së vullnetit për të marrë pjesë dhe për t’u angazhuar plotësisht në dialog”, tha zoti Escobar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




