Bota

SHBA, edhe 96 orë ‘jetë’ nga nëndetësja turistike e zhdukur pranë ‘Titanic’-ut

Gazeta Si – Një nëndetëse e përdorur për të sjellë grupe turistësh për të vizituar mbytjen e anijes “Titanik”, një shekull më parë, u zhduk një ditë më parë nga radarët në Oqeanin Atlantik jashtë kontinentit amerikan. Tani është një garë me kohën për të shpëtuar pesë personat në bordin e batiskafit privat.

Sipas llogaritjeve të cituara nga admirali John Mauger, në këtë pikë, pasagjerët do të kishin “midis 70 dhe 96 orë oksigjen të disponueshëm”.

Gjithashtu, ndërlikimi i shpëtimit është gama e gjerë e kërkimeve dhe fakti që zona e përfshirë është e largët nga bregu.

Sipas detajeve të bëra publike nga autoritetet kanadeze, të zhdukurit janë biznesmeni pakistanez Shahzada Daud dhe i biri Sulejman, miliarderi britanik Hemish Harding 58 vjeç, eksploruesi francez Pol Onri Narzhole dhe vetë drejtuesi ekzekutiv i firmës OceanGate që ofron shërbimin e nëndetëses.

Kontakti me “Titan” u humb 1.45 orë pas zhytjes së tij. Roja Bregdetare e SHBA ka mobilizuar asete dhe personel shtesë, duke përfshirë dy avionë me katër motorë C-130, në një përpjekje për të gjurmuar nëndetësen.

Kundëradmirali John Mauger, kreu i Distriktit të Parë të Rojës Bregdetare të SHBA-së, raportoi se kërkimet janë të përqendruara në një zonë që ndodhet rreth 1,440 kilometra në lindje të Cape Cod, dhe në një thellësi prej gati katër kilometrash.

Sipas BBC, që citon një burim të Rojës Bregdetare në Boston, SHBA, nëndetësja e vogël është pjesë e një flotilje automjetesh nënujore të përdorura nga kompani private për të çuar grupe të vogla turistësh në thellësitë e oqeanit për të vizituar shtratin e detit kundrejt një pagese mbi të cilën shtrihen mbetjet e famshme Transatlantike, 3800 metra nën nivelin e detit.

Nëndetësja që doli nga radari, i përket kompanisë private “OceanGate Expeditions”, shkruan BBC, një kompani që organizon ekspedita në shtratin e detit e cila ofron, në këmbim të 250.000 dollarëve, një ekspeditë 8-ditore për të zbuluar Titanikun në bordin e një automjeti me fibër karboni që ofron, “një mundësi për t’u larguar nga jeta e përditshme dhe për të zbuluar diçka të jashtëzakonshme”.

Deri në pesë persona mund të hipin në bord: një pilot, tre të ftuar dhe një “ekspert i teknik”.

Titaniku u ndërtua më shumë se një shekull më parë si një anije ‘që nuk mbytej’, por u fundos me shumë nga pasagjerët e saj në vitin 1912, pasi goditi një ajsberg në kalimin e saj të parë midis Anglisë dhe Amerikës në një fatkeqësi detare, e cila mbeti në analet e historisë, duke u treguar nga librat dhe filmat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë