Nga Gazeta ‘Si’- Shtetet e Bashkuara do ta kuptojnë brenda disa javësh nëse Rusia është serioze për paqen me Ukrainën. Kështu është shprehur Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në përfundim të takimit 2-ditor me aleatët për sigurinë europiane.
Më herët, aleatët evropianë akuzuan Moskën për ngecje në lidhje me thirrjen e administratës Trump për një armëpushim.
“Ne do të dimë mjaft shpejt, brenda disa javësh, jo muajsh, nëse Rusia është serioze për paqen apo jo. Shpresoj që të jenë. Nëse kjo po i zvarrit gjërat, Presidenti Trump nuk do të bjerë në grackën e negociatave të pafundme rreth negociatave. Ne po testojmë për të parë nëse rusët janë të interesuar për paqen. Veprimet e tyre – jo fjalët e tyre, veprimet e tyre – do të përcaktojnë nëse ata janë seriozë apo jo, dhe ne synojmë ta zbulojmë më shpejt sesa më vonë”, tha Rubio.
Burime për Reuters bëjnë me dije se Shtëpia e Bardhë është bërë e kujdesshme ndaj synimeve të Putinit ditët e fundit, megjithëse Trump vazhdon të sinjalizojë publikisht besimin e tij se Putini dëshiron t’i japë fund luftës.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mark Rutte. Në konferencën për shtyp, Rutte tha se, Topi në lidhje me një armëpushim në Ukrainë është në fushën ruse. Shefi i NATO-s tha gjithashtu se aleatët do të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen dhe shumë aleatë kanë filluar ta bëjnë këtë tashmë. Ai shtoi se aleatët kishin dëgjuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, se Shtetet e Bashkuara mbetën të përkushtuara ndaj aleancës transatlantike.
I pyetur për tarifat e reja gjithëpërfshirëse të SHBA-së të shpallura nga Presidenti Donald Trump, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake Mark Rutte u tha gazetarëve se nuk shkel traktatet e NATO-s.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.