Bota

SHBA e ka vijë të kuqe, por Netanyahu i vendosur: Izraeli do të pushtojë Rafahun

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se Izraeli do të pushtojë Rafahun në Rripin jugor të Gazës, edhe nëse Hamasi bie dakord me propozimin e fundit izraelit për një armëpushim.

“Ideja se ne do të ndalojmë luftën përpara se të arrijmë të gjitha qëllimet e saj është jashtë diskutimit”, tha Netanyahu, në një takim me përfaqësuesit e familjeve të njerëzve të marrë peng nga grupi militant palestinez.

“Ne do të hyjmë në Rafah dhe do të eliminojmë batalionet e Hamasit atje – me ose pa marrëveshje, në mënyrë që të arrijmë fitoren totale”, shtoi ai.

Familjet i kërkuan Netanyahut që të “përballojë presionin ndërkombëtar” për të ndalur luftën në Gaza, thuhet në deklaratën e publikuar nga Zyra e Kryeministrit. Presidenti i SHBA Joe Biden ka thënë se një pushtim i Rafahut do të ishte “vijë e kuqe”, megjithëse Netanyahu u zotua se do ta sfidonte këtë.

Izraeli ka kryer sulme ajrore të rregullta në qytet që nga fillimi i luftës dhe ka kërcënuar se do të dërgojë trupa, duke e quajtur Rafahun bastionin e fundit të Hamasit. Gjatë natës të së hënës, sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 22 persona, duke përfshirë gjashtë gra dhe pesë fëmijë, thanë zyrtarët shëndetësor palestinezë.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha të hënën gjatë një debati zgjedhor të bashkëorganizuar nga POLITICO se do të ishte “plotësisht e papranueshme” që Izraeli të sulmonte qytetin palestinez, por nuk pranoi ta quante atë një “vijë të kuqe” që do të rezultonte në sanksione të BE-së kundër Izraelit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë