Përfaqësuesit e Bashkimit Europian kanë shoqëruar mesazhet e urimit të Albin Kurtin për marrjen e detyrës si Kryeministër me porosinë e rëndësisë së vijimit të dialogut me Serbinë.
“I uroj suksese në realizimin e pritshmërive të larta të qytetarëve të Kosovës. BE është gati që të lehtësojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, shkroi i dërguari i Posaçëm i BE në këtë proces, Miroslav Lajçak.
Te dialogu u përqëndrua edhe mesazhi urues i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell.
“Presim që të bashkëpunojmë dhe të përmbyllim me sukses dialogun Beograd-Prishtinë. Kjo është thelbësore për rrugën europiane (të Kosovës)”, thotë Borrell.
Ndërkohë, përfaqësitë kryesore diplomatike në Prishtinë kanë dalë me një mesazh urimi të përbashkët, ku tema e dialogut shmanget dhe theksi vendoset tek sfidat e mirëqeverisja dhe zgjedhja e Presidentit të ri.
“Në këtë kohë pandemia dhe sfidash ekonomike, Kosovës i nevojiten institucione funksionale, përfshirë këtu presidencën. Për të adresuar këto sfida nevojitet që udhëheqësit politikë dhe deputetët tani të vendosin nevojat e qytetarëve mbi bindjet partiake dhe opozita e qeveria të punojnë së bashku për prioritetet e vendosura, ku detyra e parë është zgjedhja e Presidentit të ri”, thuhet në mesazhin e përbashkët të Ambasadorëve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




