Gazeta Si – Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë firmosur sot një marrëveshje për shkëmbimin dhe ruajtjen e informacioneve të klasifikuara. Kjo marrëveshje u vlerësua si arritje historike nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Marrëveshja për masat e sigurisë për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara u nënshkrua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadori Hovenier, pas një pune dyvjeçare rreth saj, njoftoi Ambasada amerikane në Prishtinë.

“Kjo marrëveshje vë themelin për shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara. Ajo përfaqëson përkushtimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara për bashkëpunimin e vazhdueshëm të sigurisë me Kosovën”, – tha ambasadori Hovenier.
Përmes kësaj marrëveshjeje, sipas Ambasadës amerikane, ShBA-të dhe Kosova kanë ndërmarrë obligime për t’i mbrojtur informacionet e klasifikuara të njëra-tjetrës, duke hapur rrugën për shkëmbimin e tyre.
Nga kjo marrëveshje Kosova përfiton në disa fusha, përfshirë rritjen e aftësive për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet territorial përmes shkëmbimit të informacioneve me SHBA-të, integrimin e plotë në strukturat e sigurisë Euro-Atlantike dhe zhvillimin e suksesshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë mbrojtëse territoriale të suksesshme, shumetnike dhe që operon sikur NATO-ja, sipas Ambasadës amerikane.
Marrëveshje vjen në kohën e duhur, sipas ambasadorit Hovenier, veçanërisht në kontekst me të gjerë të luftës së vazhdueshme prej agresori të presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës.
“Kjo marrëveshje pasqyron përkushtimin tonë për synime dhe vlera të përbashkëta, dhe për një të ardhme, e cila është më e sigurt për të dy vendet tona”, – tha Hovenier./REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




