Kosova

SHBA dhe Gjermania reagojnë pas djegies së makinave në veri të Kosovës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendi i tij dënon “djegien kriminale të veturave në veri të Kosovës”.

“Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi që t’i mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie për këto akte kriminale”, ka shkruar ai në Twitter.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rode, shkroi se pse Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk i dënoi incidentet në komunat në veri.

“Është shumë shqetësuese që Lista Serbe nuk e dënoi përsëri djegien e veturave të qytetarëve. Të gjithë duhet të jenë të bashkuar në dënimin e kësaj praktike”, shkroi ai në Twitter.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, më pas deklaroi se këto pohime të ambasadorit gjerman janë të pasakta, ngase si tha ai, së bashku me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, e kanë dënuar djegien e veturave në veri.

Më herët, më 2 prill, në një konferencë për media, Simiq tha se djegia e veturave me targa të Kosovës është “e papranueshme”.

Mbrëmjen e së shtunës janë djegur tri vetura në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dy prej veturave ishin me targa RKS, ndërsa njëra me targa të Beogradit.

Më 1 prill, Policia e Kosovës njoftoi se e kishte arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se, ndër të tjera, ka marrë pjesë në djegien e një veture.

Pas këtij arrestimi, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi zyrtar, e cilësoi arrestimin në Mitrovicë të Veriut si “vazhdim të keqtrajtimit të popullit serb” dhe paralajmëroi se nëse i arrestuari nuk lirohet, do të shkaktohet “reagimi nga serbët”. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë