Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian duket se kanë ndezur motorët në një përpjekje të përbashkët për të çuar Kosovën dhe Serbinë drejt një marrëveshjeje finale dhe gjithëpërfshirëse.
Duke i kërkuar haptazi kryeministrit Albin Kurti që të dëshmojë përkushtim në dialogun që pritet të rinisë së shpejti, Zëvendës ndihmës sekretari amerikan, Mathew Palmer dhe i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak kanë nisur të hënë një vizitë zyrtare në Kosovë. Mesazhi i SHBA-së dhe BE-së ka qene i qartë: Dialogu rinis së shpejti dhe të gjitha palët në Kosovë duket të jenë të bashkuara në mënyrë që marrëveshja për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të arrihet sa më parë.
Të dy zyrtarët e lartë kanë takuar edhe liderët e partive opozitare, duke u kërkuar të unifikohen përreth qeverisë. Në një shfaqje uniteti, Palmer dhe Lajçak kanë takuar së bashku kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Kryeministri Albin Kurti dukej i lehtësuar nga bashkëpunimi dhe koordinimi mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, në prag të rinisjes së dialogut Kosovë – Serbi, pas përplasjeve të ashpra që Brukseli dhe Uashingtoni kanë patur në të kaluarën. Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic pritet të takohen nga mesi i qershorit në Bruksel, me SHBA-në dhe BE-në që po i ushtrojnë presion të dyja palëve për të arritur sa më parë një marrëveshje. Kurti u shpreh të hënën, pas takimit me Lajçak dhe Palmer, se dialogu “duhet të jetë i drejtë, parimor dhe t’i shërbejë paqes e sigurisë së rajojnit.
Arsyeja e vizitës së përbashkët të Lajçak dhe Palmer duket se ka të bëjë pikërisht me përgatitjen e Kosovës për takimin Kurti-Vuçic. Procesi është ndërmjetësuar përgjatë dy viteve të kaluara nga Shtetet e Bashkuara, pasi administrata e presidentit Donald Trump vendosi të anashkalonte Brukselin, duke marrë kontrollin e bisedimeve dhe duke i takuar të dyja palët në Shtëpinë e Bardhë, ku edhe Prishtina dhe Beogradi nënshkruan një marrëveshje. Por me ndërrimin e pushtetit në Shtëpinë e Bardhë, kjo marrëveshje duket se ka dalë jashtë loje. Megjithatë, Administrata Biden duket se kërkon ende një karrige në tavolinën e dialogut.

Para se të shkonin në Kosovë, Lajçak e Palmer ishin takuar më 26 maj në Bruksel ku kanë diskutuar mes të tjerash për dialogun Kosovë – Serbi. Në një intervistë të fundit, i dërguari i BE-së dhe zëvendësndihmësi i sekretarit të shtetit, Matthew Palmer, konfirmuan se Brukseli dhe Uashingtoni po punojnë së bashku për arritjen e një marrëveshjeje finale. Për SHBA-në marrëveshja nënkupton njohjen e ndërsjellë, ndërsa për BE-në hapjen e rrugës së anëtarësimit të Kosovës.
Po ashtu, Lajçak dhe Palmer mësohet se kanë ofruar garanci që Kushtetuta e dhe integriteti territorial i Kososvës janë vijat e kuqe që duhem respektuar.
Por kërkesa e parë e Serbisë sapo të ulet në tryezën e dialogut është asociacionit i Komunave Serbe , i cili është refuzuar nga Kosova duket thënë se është në shkelje të Kushtetutës.
“Kemi tri dokumente, kemi marrëveshjen që u nënshkrua në vitin 2013 dhe u ratifikua në Kuvendin e Kosovës me shumicë votash. Pastaj është një marrëveshje e vitit 2015 për të cilin Gjykata Kushtetuese eKosovës thotë se është e rëndësishme që Asociacioni i ardhshëm të respektojë plotësisht Kushtetutën e Kosovës. Pra nuk thuhet se Asociacioni nuk duhet të implementohet, por thuhet se do të implementohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Pra tani në bazë të këtyre tri dokumenteve, ne duhet të ulemi ose dhe të diskutojnë se si t’i implementojnë. Dhe ne i respektojmë plotësisht vijat e kuqe për Kosovën”, kishte deklaruar Lajçak para vizitës në Kosovë.

Ndërsa Palmer ka theksuar nga ana e tij se SHBA qëndron e patundur se njohja e ndërsjellë është e domosdoshme
“Unë hezitoj të përcaktoj ndonjë afat kohor specifik për dialogun. Por në ndajmë qëllimin e partnerëve tanë të Bashkimit Evropian për ta shtyrë procesin përpara me vendosmëri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të donin të kishte marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ligjërisht të detyrueshme, që hap rrugën e qartë për integrim europian për dyja, Serbinë dhe Kosovën. Ky ka qenë një qëllim i disa administratave amerikane dhe ne e mbështesim fuqishëm këtë”, ka deklaruar Palmer.
Duke komentuar deklaratat e vazhdueshme të Kurtit se përparësia me tij nuk është dialogu me Serbinë por reformat e brendshme të Kosovës, Lajçak edhe Palmer thonë se nuk ka asnjë konflikt mes avancimit të dialogut dhe avancimit të agjendës për reforma të brendshme si lufta kundër korrupsionit dhe krijimi i vendeve të punës.
Madje Palmer thotë se arritja e një marrëveshje është kyçe për tërheqjen e më shumë investimeve amerikane dhe të tjera të huaja, si dhe për krijimin e vendeve të punës për popullin e Kosovës dhe tërë rajonit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




