Nga Gazeta 'Si' - Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë lancuar Mekanizmin e Koordinuar për Ballkanin Perëndimor, që fokusohet ekskluzivisht në luftimin e manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja dhe ndikimit (FIMI), që përfshin dezinformimin dhe propagandën.
Ky mekanizëm, sipas Departamentit amerikan të Shtetit, do të forcojë integritetin e informacionit në Ballkanin Perëndimor.
“Mekanizmi do të fuqizojë partnerët që të bëhen të aftë që të adresojnë vetë kërcënimet e FIMI-it dhe të punojnë së bashku për të zvogëluar aftësinë e Rusisë dhe Republikës Popullore të Kinës për të kryer fushata propagande dhe të manipulimit të informacionit në rajon”, tha DASH-i.
Mekanizmi që u lancua, u krijua pas një takimi të zhvilluar muajin e kaluar në Belgjikë të Këshillit Ministror të SHBA-së dhe BE-së për tregti dhe teknologji.
Më 19 maj, gjatë vizitës së nënsekretares amerikane e Shtetit për Diplomaci dhe Çështje Publike, Liz Allen, Kosova nënshkroi një marrëveshje mirëkuptimi me SHBA-në kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.
SHBA-ja tha se Kosova është vendi i 15-të në botë që e përkrah Kornizën e DASH-it për të luftuar manipulimin e informacionit nga shtetet e huaja.
Uashingtoni tha se do të vazhdojë të punojë që rajoni të integrohet në struktura euroatlantike.
“Kjo politikë mbështetet në ruajtjen e integritetit të hapësirës së informacionit digjital. Sot, informacionet e vërteta dhe ato të manipuluara përhapen lirshëm, prandaj informacioni i bazuar në fakte është një aspekt i domosdoshëm i qeverisjes së suksesshme demokratike”, tha DASH-i.
SHBA-ja, por edhe BE-ja, vazhdimisht kanë thënë se shtete të Ballkanit Perëndimor përballen me fushata dezinformimi dhe propagande nga Rusia dhe Kina.
Vitin e kaluar, James Rubin, i dërguar i posaçëm dhe koordinator në Qendrën Globale të Angazhimit të Departamentit amerikan të Shtetit, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë tha se Kremlini po përdor “informacionin si mjet lufte” për të përçarë aleatët e SHBA-së në Ballkan.
Sipas tij, mediat në rajon duhet të rrisin përpjekjet për të zbuluar dezinformimin rus dhe për ta dalluar atë nga e vërteta.
Po ashtu, në fund të vitit të kaluar ishte publikuar një raport për dezinformatat, që ishte hartuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Në raport thuhej se Kosova është e ekspozuar ndaj dezinformatave dhe narrativëve që vijnë nga Rusia dhe Kina të cilat synojnë të nxisin luftë ndëretnike dhe ndërfetare në vend, të kriminalizojnë NATO-n dhe të ulin besimin e shoqërisë në integrimet euroatlantike, si dhe të pasqyrojnë SHBA-në si shembull të keq.// REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.