Kosova

SHBA dhe BE kërkojnë përgjegjësi për Milan Radoiçiçin: Të përballet me ligjin në Serbi

Nga Gazeta 'Si' - Sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ishte temë diskutimi në Samitin e Dubrovnikut, ku morën pjesë Ndihmës sekretari amerikan, James O’Brien dhe emisari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

O’Brien, tha se Serbia ka premtuar se Milan Radoiçiç do të përballet me ligjin lidhur me ngjarjet e shtatorit në Banjskë të Zveçanit dhe shtoi se pret që Serbia të mbajë premtimin.

“SHBA-ja dhe BE-ja në mënyrë të vazhdueshme kanë thënë se krimet e kryera në shtator në Banjskë duhet të ndëshkohen. Ne presim dhe besoj se na është premtuar se zoti Radoiçiç do të kalojë nëpër një proces të plotë të ligjor në Serbi. Është gjë e mirë që duket se nuk është aktiv në veri të Kosovës, siç ka qenë më herët, shohim se nga kjo ka përfitime pozitive. Ndaj tij është ngritur akuzë dhe presim që procesi ndaj tij të përfundojë”, tha O’Brien.

Serbia e akuzon Radoiçiçin për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator. Atij, autoritetet ia kanë ndaluar shkuarjen në Kosovë.

Duke folur për Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën, O’Brien tha se në dy shtetet duhet të përjashtohet mundësia e përdorimit të forcës për zgjidhjen e çështjeve.

“Mendoj se po ashtu duhet të jemi të qartë se përdorimi i forcës për të arritur te zgjidhja duhet të përjashtohet. Kjo përfshin pjesët më të ndjeshme të Bosnje e Hercegovinës dhe në veri të Kosovës dhe mendoj se këtu aktorët relevantë shtetërorë kanë ndërmarrë qëndrime të forta se nuk mbështesin përdorimin e forcës në këto zona. Por, ne na duhet ta largojmë diskutimin për dhunën, dhunës shtetërore. Kjo do të na mundësonte që të përdorim mjetet që kemi në një mënyrë që ne mevojmë se do të ishte produktive”, tha O’Brien.

Edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak theksoi qëndrimin e qartë të BE-së që të gjithë ata që kryen aktet kriminale në Banjskë të Zveçanit duhet të mbahen përgjegjës dhe të ndëshkohen.

“Pozicioni i BE-së ka qenë i formuluar dhe është i qartë që ata që i kanë kryer aktet kriminale në shtator të vitit 2024 duhet të mbahen përgjegjës. S’ka imunitet për ta dhe BE-ja e përsërit këtë edhe në takime bilaterale”, tha Lajçak.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë