Shtetet e Bashkuara kanë dënuar djegien dhe shkatërrimin e pronave të atyre personave që kanë apo synojnë të riregjistrojnë makinat e tyre me targa ilegale serbe, në RKS – Republika e Kosovës.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka konsideruar aktet e tilla “frikacake dhe kriminale”.
Më 2 nëntor, Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e hershme të së mërkurës ka marrë informacione për vënien e zjarrit dhe djegien e një makine me targa RKS në Zubin Potok, pronar i së cilës ka qenë një qytetar i komunitetit serb.
Ky njoftim vjen një ditë pasi Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin në tri faza për riregjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parashikon gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka paralajmëruar rezistencë të ashpër që në momentin kur do të shqiptohet gjoba e parë lidhur me targat.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Ambasadori Hovenier ka përsëritur sërish thirrjen e Shteteve të Bashkuara për “shtyrje të plotë të zbatimit të vendimit për targat”, duke përmendur po ashtu se Kosova ka të drejtë të zbatojë këtë vendim.
Javë më parë, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që afati për riregjistrimin e makinave në RKS të shtyhet për 10 muaj.
Çështja e targave ilegale ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës verën e kaluar, kur disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me procesin e riregjistrimit.
Për të ulur tensionet, dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimit deri më 1 shtator.
Afati për riregjistrim fillimisht ishte planifikuar të skadonte më 31 tetor, mirëpo më pas Qeveria e Kosovës e ka prezantuar planin me tri faza.
Më 1 nëntor, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se do të dëshironte të shihte që përfaqësuesit e serbëve në Kosovë të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në ulje të tensioneve. (REL)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




