Ambasada Amerikane në Tiranë ka publikuar sot një tjetër video në rrjetet sociale për mënyrën se si do të funksionojë Byroja Kombëtare e Hetimit.
“Në videon e kaluar, mësuat mbi Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar (SPAK). Këtë javë do të flasim për Byronë Kombëtare të Hetimit, ose shkurt BKH. Çfarë është BKH? Përse është e rëndësishme BKH? Shikoni këtë video për të mësuar se si BKH dhe Prokurorët e Posaçëm do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsionin në nivelet më të larta. CfareEshteReformaNeDrejtesi#NdalKorrupsionit”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane në “Facebook”.
Siç thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane, BKH është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara.
“Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK. SPAK-u është një institucion i ri, i pavarur dhe i papolitizuar kushtetues, detyra e të cilit është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të nivelit të lartë. Në shumë mënyra, BKH është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë të Shtetet e Bashkuara. Në fakt hetuesit e BKH do të trajnohen në akademinë e FBI-së Virxhinia. Ligji mbi SPAK-un po ashtu kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyr trajnimin dhe përgatitjen e hetuesve të BKH”, thuhet në videon e publikuar.
Me ngritjen e SPAK, shpjegohet në video, njerëzit me pushtet nuk mund të ndikojnë në gjykata.
“Në të kaluarën cilido me para apo pushtet mund të ndikonte sistemin e gjykatave në favor të tyre. Tani kushtetuta i jep SPAK-ut fuqinë dhe pavarësinë për të goditur korrupsionin e nivelit të lartë. Me t’u ngritur SPAK dhe BKH do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsionin në nivelet më të larta dhe prokurorët e posaçëm mund t’i çojnë këto çështje të rëndësishme në gjykatë. Zyrtarët e korruptuar dhe bosët e krimit të organizuar do të japin llogari dhe do të përballen me drejtësinë. Prokurorët e posaçëm dhe BKH janë këtu për t’u siguruar që askush të mos jetë mbi ligjin”, thuhet në videon e postuar sot nga Ambasada Amerikane.
Më herët, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë publikoi një video, ku tregonte se si do të funksiononte Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, shkurt SPAK. Po ashtu shpjegoi edhe ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe pse është i rëndësishëm Vettingu dhe si do të ndryshojnë sistemi shqiptar i drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




