Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë përshëndetën zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Kuvendit këtë të hënë,
SHBA e cilëson një hap domethënës për ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratikë në vend.
“Prej votimit unanim të reformës në drejtësi në 2016-ën, institucionet shqiptare, përfshirë edhe organet e reja të pavarura të gjyqësorit, kanë punuar fort për të përmbushur vullnetin e popullit. Votimi i sotëm i Parlamentit çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri”, thuhet në reagimin e SHBA.
Delegacioni i BE përshëndeti zgjedhjen e dy anëtarëve dhe pret që në një të ardhme të afërt Gjykata Kushtetuese të jetë plotësisht funksionale.
“Sot, Parlamenti shqiptar zgjodhi dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Ne mirëpresim vendimin dhe presin që të kemi sa më shpejt që të jetë e mundur një Gjykatë funksionale. Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon dhe ai është thelbësor për rrugën e integrimit europian për Shqipërinë”, thotë BE.
E përbashkëta e dy deklaratave është se që të dyja ato flasin për zgjedhjen e dy kandidatëve dhe jo për tre. Por, veç Elsa Toskës dhe Fiona Papajorgjit të zgjedhura këtë të hënë nga Kuvendi, mazhoranca cilëson të emëruar që pas 7 nëntorit edhe Arta Vorpsin, që ishte e renditur e para në listën e dytë që KED i kishte dorëzuar Presidentit.
Por, siç parashikon ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të trija anëtaret e zgjedhura që të nisin ushtrimin e detyrës duhet të betohen para Presidentit të Republikës. Në vazhdën e kësaj përplasjeje, vështirë se Presidenca do të organizojë betimin e Arta Vorpsit dhe të kandidateve të tjera, ndaj pyetja që ngrihet pas këtij mesazhi të dy përfaqësive kryesore ndërkombëtare është: mos vallë po e mbështesin propozimin e mazhorancës që në rast refuzimi të Presidentit për të organizuar betimin, ky betim të organizohet nga Kuvendi?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.