Bota

SHBA 2024, Biden akuzon Trumpin: Gjuha e tij është retorikë e Gjermanisë naziste

Gazeta Si - Presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi se përpjekjet e Donald Trumpit për të rimarrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë më 2024 paraqesin një kërcënim të madh për shtetin.

Ai këto komente i bëri më 5 janar, një ditë para 3-vjetorit të trazirave të dhunshme në Kongresin amerikan nga mbështetësit e Trumpit, të cilët tentuan ta mbanin atë në pushtet.

Biden akuzoi gjithashtu Trumpin se përdorte retorikën e "Gjermanisë naziste. Ai flet për gjakun e amerikanëve duke u helmuar, duke përdorur saktësisht të njëjtën gjuhë që përdorej në Gjermaninë naziste".

Duke folur në Pensilvani, Biden tha se 6 janari i vitit 2021 ishte një moment “kur ne gati e humbëm Amerikën – i humbëm të gjitha”.

Ai tha se gara presidenciale – që ka të ngjarë të jetë një përballje e re mes Bidenit dhe Trumpit, pasi ky i fundit po konsiderohet kandidati kryesor i republikanëve – ka të bëjë me atë nëse demokracia amerikane do të mbijetojë.

Biden, i cili iu rikthye jetës politike sepse ndjeu se mund ta mposhte Trumpin më 2020, beson se përqendrimi në mbrojtjen e demokracisë është thelbësor për të bindur votuesit që të mos e zgjedhin Trumpin sërish në postin e presidentit.

“Të gjithë ne e dimë se kush është Donald Trumpi”, tha Biden. “Pyetja të cilës duhet t’i përgjigjemi është se kush jemi ne?”.

Biden foli edhe për rolin e Trumpit gjatë sulmit ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan, kur një turmë e mbështetësve të republikanëve sulmuan ndërtesën në kohën kur ligjvënësit po certifikonin fitoren e Bidenit në zgjedhjet presidenciale. Mbi 100 policë u sulmuan nga turma, e cila hyri në ndërtesë.

“Çfarë bëri Trumpi? Ai i cilësoi ‘patriotë’ këta kryengritës”, tha Biden, duke shtuar se “ai u premtoi se do t’i falte nëse do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë”. Presidenti amerikan tha se Trump “lavdëroi” në vend se të dënonte dhunën politike.

Të paktën nëntë presona vdiqën në Kongres gjatë ose pas trazirave të 6 janarit të vitit 2021.

Biden tha se duke “tentuar që të rishkruajë faktet për 6 janarin, Trump po tenton ta vjedhë historinë në të njëjtën mënyrë sikurse tentoi të vidhte zgjedhjet”.

Trump, i cili përballet me 91 akuza penale, ku përfshihen edhe përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin zgjedhor presidencial, ka argumentuar se Bideni dhe demokratët e tjerë të lartë po tentojnë të minojnë demokracinë duke përdorur sistemin e drejtësisë për të penguar fushatën e rivalit të tyre kryesor.

Më 5 janar, Gjykata Supreme në SHBA u pajtua që të trajtojë rastin nëse emri i Trumpit mund të hiqet nga fletëvotimet për zgjedhjet e këtij viti për shkak të përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të katër vjetëve më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë