Shendet

Shapo: Pritet dimër i vështirë, duhen plane për vaksinat përforcuese të Covid-19 dhe gripit

Gazeta Si- Prej më shumë se një jave, vendi ynë është mbuluar nga temperaturat e ulëta dhe shirat, çka sjellin edhe probleme me shëndetin.

Mjeku shqiptar në Londër Laidon Shapo shkruan në rrjetin social Facebook se ndërsa po i afrohemi dimrit të parë me koronavirusin (COVID-19) që qarkullon, është thelbësore që të ndërmerren veprime në të gjithë sektorin e kujdesit shëndetësor dhe social për t’u mundësuar njerëzve të qëndrojnë të sigurt dhe të shendetshem dhe për të siguruar që sistemet shendetsore të mos mbingarkohen.

“Vdekjet nga të ftohtit përfaqësojnë burimin më të madh të vdekshmërisë në lidhje me motin në Angli dhe mesatarisht, ka afërsisht 35,000 vdekje të tepërta dimërore çdo vit”, thotë Shapo duke shtuar se arsyet pse ka më shumë fatalitete në dimër në krahasim me periudhat e tjera të vitit janë komplekse dhe të ndërlidhura dhe përfshijnë:

-banesa me cilësi të dobët, veçanërisht shtëpi të ftohta

-sëmundjet infektive qarkulluese, veçanërisht gripi dhe norovirusi (virus që shkakton të vjella dhe diarre dhe është ngjitës).

-rreziqe fizike si bora dhe akulli

-pabarazitë shëndetësore

Përveç rritjes së ndjeshme të vdekjeve, periudha e dimrit gjithashtu sheh një rritje të konsiderueshme të sëmundjeve.

“Ky do të jetë dimri i parë që SARS-CoV-2 do të qarkullojë në një terren ku shumica e njerëzve janë vaksinuar me dy, tre dhe disa me katër doza vaksine dhe një pjesë e madhe e kanë kaluar ndoshta më shumë se një herë infeksionin” dhe është e rëndësishme që planet të jenë në vend për të adresuar rreziqet që mund të lindin nga të ftohtit dhe COVID-19 këtë dimër, thotë Shapo.

Shapo shpjegon për Gazetasi.al se ky dimër është i veçantë për shkak se virozat dimërore mund të bashkohen me variante disi më të buta të Covid dhe prandaj është e nevojshme një vaksinë përforcuese të gripit dhe Covid-19 këtë dimër.

“Sidomos personat që janë 50 vjeç e lart, në një grup në rrezik që kanë sëmundje bashkëshoqëruese ose janë shtatzënë duhet të bëjnë një vaksinë përforcuese të gripit dhe Covid-19 këtë dimër”.

Shapo thotë për Gazetasi.al se një problem është edhe fakti se në Shqipëri ka që në mars/prill të këtij viti që mendohet se nuk ka më Covid, ndërkohë që variantet e reja vazhdojnë të qarkullojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë