Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, doli në konferencë shtypi bashkë me kapitenin Etrit Berisha. Ai foli për miqësoren me Kosovën, që zhvillohet nesër në “Elbasan Arena”, por sigurisht edhe për përballjet me Kazakistanin dhe Bjellorusinë. Për Kosovën ai e tha hapur se do të jetë një shans për të rinjtë dhe se një prej titullarëve mund të jetë Hoxhallari i Tiranës.
“Është një ndeshje e ndjerë nga të dyja tifozëritë. Do të hedh në fushë një skuadër kompetitive, sepse do të përgatitemi për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve. Kam 20 lojtarë të gatshëm, pasi Broja nuk mund të luajë për probleme fizike, Gjasula nuk ka ardhur. Duhet të jetë si një miqësore, pa ashpërsi në lojë.
Duam të bëjmë një ndeshje të mirë me Kosovën. Do të doja që të mos e luanim këtë miqësore para dy ndeshjeve zyrtare, por ishte e vetmja skuadër e lirë, pasi humbëm miqësoret me Gjibraltarin dhe Armeninë. U krijua si mundësi dhe thashë “ok”, por nuk ishte momenti i duhur. Lojtarët e rinj kanë stimuj për ta treguar veten.

Do të fusim lojtarë të rinj dhe Hoxhallari mund të luajë nga fillimi në këtë miqësore, edhe Çepele ndoshta, një i ri interesant, apo edhe Ismailgeci. Pse dy të majtë nga Tirana? Kemi probleme te ky pozicion aktualisht, sepse Trashi nuk vjen, ashtu sikurse edhe Lenjani, ndaj dhe i kam thirrur këta lojtarë, duke marrë në konsideratë mungesat”, – pohoi fillimisht trajneri Reja.
Më pas italiani sqaroi edhe situatën e Marash Kumbullës: “Dje kemi folur me Asl-në (autoritet shëndetësore) në Itali për të bërë të mundur ardhjen e Kumbullës, nëse do të kishte ndonjë hapësirë, qoftë edhe me një avion privat. Por te Roma kanë dalë pozitivë edhe disa lojtarë të tjerë dhe është shumë e vështirë. Ndoshta të shtunën mund krijohet ndonjë mundësi për ta pasur në skuadër, për miqësoren nuk bëhet fjalë. Jemi në negociata dhe shpresojmë që çështja të zgjidhet pozitivisht”.
Në fund trajneri i kuqezinjve foli shkurt edhe për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku përsëriti se objektivi është marrja e 6 pikëve. “Kemi objektivin t’i fitojmë të dyja ndeshjet, jemi ende favoritë për vendin e parë. Shkoi keq ndeshja me Lituaninë në fushën tonë, pastaj nuk fituam në Kazakistan dhe në Lituani. Është shumë e rëndësishme që të mos e humbim fokusin dhe të marrim 6 pikë. Kemi potencialin për këtë objektiv”, – përfundoi trajneri i Kombëtares.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




