Interviste

Shahu ballkanik që po luhet në fushën e mini-Schengenit

Bledar Hoti - Shqipëria nuk duhet të bëhet pjesë e nismës rajonale për Shengenin Ballkanik, në rast se Kosova nuk ulet në tryezë me të drejta me Serbinë. Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo në intervistën e dhënë për Gazeta Si flet për nismën më të fundit të ndërmarrë për krijimin e Shengenit Ballkanik, duke theksuar se duhet parë me kujdes nëse kjo ka për qëllim për futjen në integrimin e Ballkanit në BE, apo mund të përfitojnë më të fortët. Sa i përket zgjedhjeve në Kosovë, kreu i Partise Demokracia Sociale dhe ish-ministri i Jashtëm e sheh fitoren e Vetëvendosjes dhe të LDK-së që erdhi nga pakënaqësia ndaj estabilishmentit politik në Kosovë.

Zoti Milo, si i konsideroni zgjedhjet më të fundit në Kosovë, ku kemi Vetëvendosjen si një forcë të parë politike, subjekti që synon bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Çfarë ndryshimi mund të ketë kjo në raport me mes dy shteteve tona dhe në rajonin e Ballkanit?


Vetëvendosja ka qenë një faktor politik shumë i rëndësishëm në Kosovë për shumë vite të fundit sidomos. Dhe rezultati që ajo mori në zgjedhjet e parafundit e dëshmuan që këtë forcë dhe prezencë të saj si parti politike e rëndësishme. Tani, ashtu siç edhe ishte parashikuar, fituesit e këtyre zgjedhjeve në Kosovë ishin Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Diferenca është e vogël, por fakti që fituan dy partitë kryesore të opozitës dëshmon se qytetarët e Kosovës kanë qenë të lodhur dhe të zhgënjyer nga qeverisja e mëparshme dhe nga mungesa e zgjidhjeve jetësore për Kosovën, në mënyrë të veçantë lufta kundër korrupsionit dhe sidomos mos akordimi nga ana BE-së e statusit për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.. Kështu që fitorja e këtyre dy partive politike, e në mënyrë të veçantë të Vetëvendosjes kishte një bazë e reale që ishte një lloj reagimi dhe pakënaqësie e qytetarëve të Kosovës ndaj estabilishmentit të vjetër qeverisës dhe politik në Kosovë.


Dy kandidatët për postin e kryeministrit përpara zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti i Vetëvendosjes dhe Vjosa Osmani e LDK-së. Gazeta Si, 12 tetor 2019


Patjetër që Kosova është një nyje nevralgjike në Ballkanin Përendimor dhe zhvillimet politike në Kosovë, aq më tepër rikthimi i një partie një partie politike e tillë si Vetëvendosje në krye të piramidës ekzekutive do të sjellë në politikën e jashtme të saj, por edhe në atë të brendshme ndryshime që unë do t’i konsideroja cilësore në rastin kur Albin Kurti dhe Vetëvendosja do t’u qëndronin besnik programit të partisë së tyre dhe deklaratave që kanë bërë deri më tani. Nëse do të nisemi nga kjo qasje, pra nga ato çfarë kanë thënë deri tani do të priten ndryshime shumë të rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por që do të ndikojnë edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera të rajonit, në mënyrë veçantë me Serbinë, por edhe me Shqipërinë.
Sigurisht që kur vjen në pushtet, vjen në qeveri, jo të gjitha premtimet elektorale apo dhe jo të gjitha deklaratat politike si parti opozitare janë të mundura që të realizohen, qoftë menjëherë, qoftë edhe në një të ardhme të afërt. Mjaft nga premtimet që ka bërë Albin Kurti nuk besoj, se duke u vendosur në pozitën e kryeministrit do të mund ta ketë shumë të lehtë që t’i fusë në hullinë e një zgjidhjeje të shpejtë, duke filluar edhe nga çështje e përfolur e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.


Po në raport me Serbinë, kam parasysh këtu dhe deklaratat e para të Kurtit dheVuçiç që kishte një përplasje mes tyre, si do të ndikojnë këto marrëdhënie?


Nisur më shumë nga deklaratat e para, në të cilat Albi Kurti shfaqet si kandidatin për kryeministër, sepse akoma nuk ka marrë mandatin për të krijuar qeverinë, mendoj se do të ketë ndryshime në gjetjen e një kompromisi për të hequr taksën ndaj mallrave serbe në tregun e Kosovës, gjë që do të mund të shoqërohet patjetër me ndonjë një “kompensim” në një aspekt tjetër nga ana e Beogradit. Unë mendoj se mund të jetë pjesë e asaj çka u diskutua dhe u vendos në Novi Sad për krijimin e një mini Shengeni Ballkanik dhe një zgjidhje e tillë mund t’i ofrohet Kosovës në këmbim të heqjes së taksës për mallrat serbe.

Meqë jemi te nisma për krijimin e Shengenit Ballkanik, a mendoni se kjo është një lëvizje si kundërpeshë ndaj taksës së vendosur ndaj mallrave serbe. Takimi mes Ramës, Vuçiç dhe Zaev po përflitet edhe me komente të ndryshme se po hidhet ideja e krijimit e Serbisë së Madhe, apo të ish-Federatës Jugosllave, cili është mendimi juaj?

Ky proces që quhet mini Shengen Ballkanik, nuk duhet instrumentalizuar kaq shumë dhe nuk duhet të ngjeshet me komente detyrimisht nacionaliste, sepse krijimi i një tregu sa më të madh ballkanik, qarkullimi i lirë i qytetarëve, i mallrave, i kapitaleve është një nga themelet e BE-së dhe ka një përvojë edhe të vendeve të tjera që tashmë janë anëtarë të BE-së,që më parë se të hynin aty kishin një lloj tregu rajonal, një minishengen të themi dhe jo detyrimisht duhet të ketë një keqkuptim të tillë të madh ndaj kësaj ideje. Përpos kësaj, procesi i Berlinit që filloi në 2014 e ka pasur në vëmendje dhe si objektiv hapjen e tregut të Ballkanit Përendimor, qarkullimin, atë që u quajt konjeksioni, si një nga boshtet kryesore të procesit. Kështu që nëse ecet në logjikën e procesit të Berlinit si një hallkë e ndërmjetme për t’i çuar vendet e Ballkanit Përendimor në BE, kjo është pozitive. Por nëse ky minishengen Ballkanik, kjo marrëveshje që u nënshkrua në Novi Sad kthehet në një qëllim në vetvete, kthehet në një instrument rajonal, pa pasur si objektiv çuarjen e vendeve të Ballkanit Përendimor në BE, atëherë po, mund të ketë dyshime se dikush kërkon ta shfrytëzojë për qëllime të tjera.

Rama, Vucic dhe Zaev ne samitin e Novi Sadit

Pra, mbetet për t’u parë nëse kjo nismë do të ketë funksion integrimin europian, përgatitjen e vendeve tona të Ballkanit Përendimor për t’u integruar sa më shpejt në BE, apo do të mbetet një nismë rajonale prej së cilës mund të përfitojnë më të fortët, dhe këtu patjetër që dyshime se Serbia është ekonomikisht më e fortë, është shteti më i madh i Ballkanit Përendimor dhe ka më shumë mundësi dhe instrumente për ta shfrytëzuar një marrëvesje më tepër seç mund të kenë Shqipëria, apo Maqedonia e Veriut, nesër edhe Kosova.

Pra nuk duhet ta përjashtojmë rrezikun në rast se mbetet një nismë rajonale pa patur si objektiv themelor integrimin e plotë të Ballkanit Përendimor në Bashkimin Europian.


Pra sipas jush Kosova duhet të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të liderëve të Ballkanit që do të mbahet në Ohër më 11 nëntor?


Unë besoj se Kosova duhet të marrë pjesë atje me status të plotë, pa asnjë rezervë si partner i barabartë në këtë nismë. Ka shumë rëndësi që Serbia, duke pranuar që të ulet në një tavolinë me Kosovën pa asnjë rezervë, është një njohje indirekte që ajo i bën Kosovës. Ka shumë rëndësi dhe mundet, mundet që pikërisht nga këtu të fillojë edhe kthesa serbe, që duke e pranuar Kosovën me të drejtë të plota në një tavolinë ku diskutohet ky minishengen Ballkanik, fillon edhe procesi për njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Mund të jetë ky edhe një mesazh që vjen nga Beogradi për të zbutur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë. Kosova heq taksën, Serbia jep pëlqimin që Kosova të pranohet si partnere me të drejta të bararabarta në një tavolinë rajonale e kështu hapet perspektiva e uljes në një tavolinë për të arritur një marrëveshje finale mes Serbisë dhe Kosovës.

Kryeministri Edi Rama dhe Paskal Milo, kreu i PDS-se


Po në të kundërt, a duhet të marrë pjesë Shqipëria në këtë nismë në rast se Kosova nuk përfshihet në këtë Shengen Ballkanik apo të jetë e ulur në tryezën e ardhshme më 11 nëntor në Ohër?


Pasi do të mund të jenë të ezauruar përpjekjet e saj që Kosova të ulet në një tavolinë me Serbinë si partnere me të drejta të barabarta, Shqipëria duhet ta shikojë vendimmarrjen e saj që të mos keqpërdoret prania e saj kundër Kosovës. Shqipëria duhet të bëjë një presion pozitiv ndaj Serbisë, me qëllim që Kosova të jetë më shpejt e pranishme në pozita të barabarta si të gjithë vendet e tjera të Ballkanit Përendimor.

Ka një teori që kjo nismë e Vuçic e Ramës është si një kundërpërgjigje ndaj BE-së, është si alternativë, ku Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut pritet t'i shtyhen negociatat me BE-në. A është kjo edhe një përgjigje ndaj vendeve të Unionit për këtë refuzim, ku edhe kryeministri Edi Rama pati një deklaratë për zhgënjimin që kanë në lidhje me zgjatjen e procesit të integrimit?


E bërë në momentin aktual, ku me sa po duket Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mund t'i thuhet një "Jo" për 2019, pra mund të ketë një shtyrje për 2020. Ky është një mesazh që dëshmon, siç e tha Rama në konferencën e shtypit, se Ballkani Përendimor nuk është tani prioritet i BE-së, prandaj ne duhet të mendojmë me filozofinë integruese të Ballkanit Përendimor që të bëhemi zot i fateve tona në rajon. Është një reagim i jo i drejtpërdrejt, por që mbetet për t'u konfimruar gjatë ditëve në vijim kur do të kemi një vendim përfundimtar të Këshillit Europian në lidhje me fillimit të negciatave për anëtarësim të plotë të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Por duhet të kemi parasysh një gjë tjetër se Serbia është në një stad tjetër më të avancuar, i ka filluar negociatat me BE. Pra Shqipëria nuk është në një status me Serbinë nga pikëpamja e zhvillimit të negociatave. Dhe Serbia duke qenë se e ka siguruar hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë mund të ketë një qëllim tjetër që t'i bëjë disa lëvizje që mund t'i krijojnë asaj një status të priveligjuar rajonal dhe mund ta paraqesin atë në sy të BE-së si një udhëheqës rajonal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë