Gazeta Si – Përsëri Polonia. Pas gati dy vjetësh historia është shumë e ngjashme: kuqezinjtë diskutojnë një pjesë të rëndësishme të kualifikimit, këtë herë në Europian, jo në Play-off-in e Botërorit.
Robert Levandovski me shokë vijnë të dielën në “Air Albania” për të na shkaktuar humbjen e radhës. Do të ishte e 4-ta në këto dy vitet e fundit, por Silvinjo dhe të tijtë me siguri nuk janë dakord. Në raport me 2 vjet më parë, situata ndryshon pak në favorin tonë. Së pari, sepse kemi një trajner më kurajoz si braziliani dhe jo Edi Rejën.
Shqipëria, edhe pa Kumbullën e Brojën, nuk është ajo e 2 viteve më parë. Sot kemi një Kombëtare më solide, më entuziaste, më të organizuar dhe me shumë mundësi zgjedhjeje. Pika në Çeki ndërkohë ka shtuar edhe më shumë shpresat për një kualifikim të mundshëm në Euro 2024.
Por kujdes! Polonia mbetet e rrezikshme edhe pse nuk është në momentin e saj më të mirë. Skuadra e Santos me vështirësi mundi Ishujt Faroe, u vërshëllye nga tifozët e saj dhe është pas nesh me pikë, që do të thotë se ka më shumë presion. Kuqezinjve mund t’u bëjë punë edhe barazimi, ndërsa fitorja do të ishte ideale.
Nuk ka aspak vend për eufori, skuadra jonë duhet të shtrëngohet si në Pragë. Polakët, edhe kur janë ‘të plagosur’, mund të ‘kafshojnë’. Robert Levandovski, Piotr Zelinski apo ndonjë tjetër mund të bëjnë keq në çdo moment. Lojtarët tanë dhe Silvinjo e dinë mirë këtë pjesë dhe patjetër që do të marrin masa.
Tifozët në anën tjetër duhet të përkrahin Kombëtaren në fushë, duke shmangur incidente si ato të përballjes së fundit me Poloninë, sepse janë vetëm në dëm të skuadrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.