Piloti i fundit që ishte në gjendje të mundte Hemiltonin në garën e titullit kampion në Formula 1, Niko Rosberg, ka analizuar shanset e dy rivalëve në këtë finale të sezonit, që rikthehet me garën e Meksikës.
“Ljuis e di mirë se çfarë duhet bërë, ka 7 tituj, kurse për Maks Vershtapen është hera e parë dhe ndodhet në një situatë ekstreme, sepse janë në lojë gjithë ëndrrat e tij”, – shprehet Rosberg, kampion në vitin 2016, kur triumfonte përballë Hemiltonit.

Dueli mes “Mbretit të Zi” dhe pilotit holandez, do të shkruajë një faqe të re të përballjes së tyre këtë fundjavë (shumë i druhen një përplasjeje), në Çmimin e Madh të Meksikës.
“Nuk i dihet asnjëherë, nëse do të jepet një tjetër shans, aq më tepër me ndryshimin e rregullores vitin e ardhshëm. Ka shumë gjëra në lojë dhe gjithë presioni është mbi shpatullat e Vershtapenit, sepse për të është një situatë e re. Megjithatë, deri këtu ai ia ka dalë në mënyrë të shkëlqyer. Nuk e tregon veten që është në presion, po e përballon mjaft mirë”, – shton Rosberg.
Analiza e tij është e ftohtë dhe logjike. Gjermani, i cili njeh avantazhin e përvojës te Hemiltoni dhe urinë e holandezit, profetizon një titull që do të vendoset në garën e fundit, në Abu Dhabi.

“Përballen kokë më kokë dy pilotët më të mirë të gjeneratave të tyre dhe janë të dy në një formë të shkëlqyer. Është një sfidë e fortë, janë të dy në të njëjtin nivel, edhe makinat e tyre po ashtu. E rëndësishme është që të mos bëjnë gabime. Gabimi i njërit prej tyre është penallti për tjetrin. Unë besoj se titulli do të vendoset në Abu Dhabi”, – ka përfunduar ish-kampioni i botës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




