Jemi vetëm një ditë larg nga ndeshja që pritet të përcaktojë shumë për luftën e titullit kampion të Superligës, Kukësi-Partizani. Në prag të kësaj ndeshje shumë të rëndësishme, para medieve si zakonisht ka dalë trajneri i Partizanit, Skënder Gega. Duke u ndalur fillimisht në çështjen e dëmtimeve që e kanë gjymtuar grupin e lojtarëve të Partizanit, Gega u shpreh se do të jenë disa lojtarët që mungojnë dhe janë jashtë forme, por gjithsesi ekipi i tij udhëton drejt Shkodrës me objektivin e vetëm për të dalë me tre pikë nga kjo përballje.
“Kemi marrë maksimumin në dy ndeshjet e shkuara, por nuk ka rëndësi, tani kemi një ndeshje me rëndësi të veçantë. Kemi pasur një periudhë pushimi, por edhe dëmtimin e Telushit, më përpara Idrizajn. Patëm edhe Bardhin e Hebaj jashtë, i pari duhet të jetë gati për nesër. Jemi gati, përtej mungesave. Kemi avantazh të madh, nuk kemi panik. Mungesat janë të parashikuara, ndaj kemi 25 lojtarë. Kthimi i Hilës na ndihmon shumë në mesfushë, kemi edhe alternativa të tjera.”

Më veçanërisht për dy mungesat e rëndësishme, Bruno Telushin dhe Lum Rexhepin, tekniku i të kuqve, Gega u shpreh se grupi i lojtarëve të Partizanit mund t’ia dalë që t’i zëvendësojë ata shumë mirë. “Emra kemi në ekip, grupi ka forcë për ta zëvendësuar Telushin. Kemi pasur dëmtime, lojtarët e ardhur janë dëmtuar këtu. Rexhepi ka luajtur, kemi edhe një fazë, mund të na vlejnë në vazhdim. Kjo është futbolli. Do të mundohemi ta kompensojmë, grupi i ka forcat. Nuk mund të them asgjë më përpara se kush do të jetë 100%. Djemtë stërviten mirë, për mua kjo është e rëndësishme.”
Në fund trajneri i Partizanit ka folur edhe për çështjen e biletave të shtrenjta në stadiumin “Loro Boriçi”. Për Gegën futboll luhet në çdo vend të botës dhe se në një vend me kushtet ekonomike të Shqipërisë hyrja në stadiumet e futbollit do duhej të ishte falas. “Nuk merremi me ato që bëjnë klubet rivale. Di që edhe po të luhet në Bangladesh, Partizani nuk do jetë vetëm, do i ketë tifozët me vete. Të ishte për mua, në këtë vend, me këtë ekonomi, do e bëja hyrjen falas në stadiume. Gjithsesi, nuk jam për hakmarrje, nuk do e bëja diçka të tillë në ndeshjen pasardhëse ndaj Kukësit.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




