Gazeta Si – Kuqezinjtë po përjetojnë një moment magjik: janë të parët në grup me 10 pikë, duke lënë pas Çekinë e Poloninë, dy skuadrat favorite ne lëtër për të shkuar në Gjermani 2024. Me Poloninë Kombëtarja jonë i mbylli llogaritë në favor të saj, tani e ka radhën Çekia.
Me këtë kundërshtar Shqipëria ndeshet më 12 tetor në ‘Air Albania’ dhe trajneri Silvinjo synon që skuadra të shkojë në këtë ndeshje sa më e përgatitur. E hapur mbtetet mundësia për praninë e sulmuesit Armando Broja, që vjen nga një dëmtim i gjatë.
Trajneri brazilian ka bërë të ditur në një intervistë të fundit për ‘EuroNews’ se do të shkojë në Londër për të biseduar nga afër me lojtarin. “Do të ikim në Londër këtë javë për të folur me klubin e Çelsit dhe lojtarin. Nëse do jetë gati 100%, Broja do të jetë kundër Çekisë, në të kundërt jo. Nuk duam të dëmtojmë as shëndetin e tij dhe as marrëdhëniet që ka me Çelsin”, - ka thënë Silvinjo.
Trajneri i kuqezinjve e di shumë mirë se një sulmues me cilësitë e Brojës bën punë në ndeshje si kjo me Çekinë qoftë edhe duke qenë 10 minuta në fushë. Prandaj ai do të tentojë ta ketë në dispozicion, por pa bërë asnjë dëm, siç pohon edhe vetë.
Trajneri ka dhënë një koment edhe për çështjen e shiritit të kapitenit, që në dy ndeshjet e fundit e mbajti Berat Gjimshiti: “Zgjedh të kem 4-5 kapitenë në ekip, jo një. E bëjë këtë, pasi kur kam ndonjë problem, ose kur dua të përçoj një ide në fushë, flas me 4-5 lojtarë dhe më pas nga ata e kam shumë më të lehtë që ekipi të marrë mesazhet e duhura”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.