Shqipëria luan përballë Republikës Çeke të shtunën e 16 nëntorit në “Arenën Kombëtare”, e vlefshme për Ligën e Kombeve, në Grupin B1, ku fitorja është opsioni i vetëm për kuqezinjtë që të arrijnë vendin e parë.
Mbrojtësi i Kombëtares, Arlind Ajeti u shpreh në konferencën për median se skuadra do të kërkojë tre pikët dhe i bëri thirrje tifozëve që të respektojnë himnin çek, pavarësisht situatave raciste që ndodhën në Pragë kundrejt ekipit kuqezi.
“Besoj i kemi të gjitha cilësitë e duhura për të arritur kualifikimin në Botëror. Është rrugë e gjatë. Nëse japim maksimumin dhe japim shpirtin për Kombëtaren, do e arrijmë dhe atë.
I bëj thirrje të gjithë tifozëve që të respektojnë himnin e Çekisë dhe të tregojnë një anë të mirë, pavarësisht farë ka ndodhur në Çeki. Ne duhet të tregojmë anën tonë të mirë”, tha Ajeti, duke shtuar se shpreson ta shohë ekipin siç ishte në Gjeorgji.
Ai tha se e dinë që është një ndeshje shumë e vështirë pa ia dinë cilësitë Çekisë dhe shpreson që nesër të dalim me tre pikë.
“Në futboll janë të gjitha të mundura. Unë besoj te skuadra, te cilësitë e çdo lojtari. Normalisht që ne synojmë vendin e parë, të fitojmë këto dy ndeshje. Gjithçka është e mundur, por me cilësitë që kemi besoj se nuk do biem”, tregon Ajeti.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, u shpreh se skuadra do të japë 100% në fushë dhe se skuadra do të futet në fushë me zemër dhe shpirt për të marrë tre pikët.
“Ndeshja e radhës është më e vështirë dhe më e rëndësishmja. Ata kanë një avantazh të vogël që është një pikë. Jemi shumë afër me pikët, çdo gjë mund të ndodh në këtë grup. Do të japim 100% në fushë. Nëse ata kanë një pikë ekstra, ne kemi avantazh që luajmë në fushën tonë dhe tifozët do të jenë të pranishëm”, tha Silvinjo, i cili shton se Çekia është skuadër shumë e fortë dhe fizikisht shumë lart. “Trajneri i tyre është shumë inteligjent, por dhe lojtarët i japin ekuilibër skuadrës. Ne do të futemi fortë me lojën tonë, por gjithmonë duke u futur me zemër dhe shpirt për të bërë një lojë shumë të mirë”.
Silvinjo tha se janë 2-3 lojtarë që kanë pasur probleme të vogla fizike dhe Uzuni nuk është njëri prej tyre.
“Ai është një sulmues që na intereson shumë , por nesër do të marrim një vendim për formacionin’, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.