Nga Gazeta 'SI' - Shifrat e INSTAT tregojnë se tremujori i tretë i vitit ka qenë pozitiv për konsumin, shërbimet dhe ndërtimin, ndërsa sektorët prodhues kanë përjetuar rënie.
Për periudhën korrik-shtator, që rezulton dhe kulmi i sezonit turistik konsumi i ushqimeve, pijeve dhe duhanit është rritur me 5.3% gjatë kësaj periudhe, ndërsa ai i hidrokarbureve me 9.9%.
Hotelet kanë parë një rritje me 8.8% të aktivitetit dhe 7.4% të punonjësve. Fondi i pagave është rritur me 14%.
Shitjet për subjektet bar-restorante janë rritur me 6.4%, ndjekur nga një rritje e fondit të pagave me 4.8%, por numri i të punësuarve u rrit me vetëm 1.7%.
Agjencitë e udhëtimit kanë përjetuar po ashtu një periudhë pozitive, me rritje 12.6% të shitjeve, 7.4% të punonjëse me 16.4% të fondit të pagave.
Për aktivitetin e informacionit dhe komunikimit, shitjet janë rritur me 9.1%, numri i të punësuarve me 3.9% dhe fondi i pagave me 12.1%.
Ndërtimi raportohet si sektori i vetëm i prodhimit me rritje të shitjeve në 9.1% dhe prodhimit me 5.6%. Fondi i pagave u shtua me 9.7%, ndërsa numri i punonjësve me 1.1%.
Shitjet në sektorin e industrisë kanë rënë me 2.8%, ndërsa prodhimi është ulur me 4.6%. Edhe pse numri i punonjësve është ulur me 5.5%, fondi i pagave për këtë aktivitet është rritur me 1.2%.
Shitjet në fushën e energjisë dhe gazit ranë me 7.3% dhe prodhimi me 5,4%. Rritja e fondit të pagave ka qenë e fortë në këtë sektor, 9.2%, ndërsa numri i të punësuarve është reduktuar me 5.8%.
Shitjet në aktivitetin e mbetjeve dhe furnizimit me ujë janë rritur me 8.5% dhe prodhimi është rritur me 8.1%. Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rënie 1.2% ndërsa fondi i pagave është rritur me 5.6%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.