Ekonomi

Sezoni turistik do të kapë kulmin si në 2019-n

Sezoni turistik i këtij viti, që ‘de facto’ ka nisur tashmë, pritet t’i përngjajë jo pak vitit 2019. Ky ka qenë deri tani viti më i mirë i turizmit.

Rritja e numrit të të vaksinuarve dhe lehtësimi i kufizimeve në udhëtim pritet të jenë faktorët kryesorë që do ta bëjnë turizmin e këtij viti të jetë ca më afër asaj që njihnim para COVID-19.

Të parët turistë që do të vijnë në bregdetin shqiptar me organizim do të jenë nordikët, duke u rikthyer pas dy vitesh mungesë. Pas tyre, tur-operatorët shprehen se do të presin çekët dhe gjermanët.

Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik thotë për Gazetasi.al se ky vit, në letra, shihet si më i mirë se ai që lamë pas.

Rrahman Kasa, Kreu i Unionit Turistik

“Kontratat me garanci janë 30% më të larta se viti i shkuar, gjë që na bën të besojmë se do të kemi një sezon të mbarë turistik.  Përpos turistëve të organizuar, presim shumë edhe nga turistët individualë që janë kryesisht kosovarët, maqedonasit dhe italianët.

Nuk mund të përjashtojmë faktin që shumë kontrata na janë anuluar për shkak të luftës Rusi-Ukrainë gjë që luajti një peshë jo fort të vogël pasi ukrainasit zënë një peshë të konsiderueshme në turizmin bregdetar”, thotë për Gazetasi.al.

Turistët e parë ukrainas që mbërritën në Shqipëri kur u rihap sezoni veror pas pandemisë

Ai shton se parashikimi bëhet edhe më optimist duke marrë parasysh faktin që sëfundmi Shqipërisë i është shtuar edhe një treg potencial në rritje, që është ai i Lindjes së Mesme dhe kryesisht Emirateve të Bashkuara.

Ky është një treg që përgjithësisht shpenzon sipas Kasës dhe që ka patur interes por shërbimet për të janë më specifike dhe ne duhet t’u përshtatemi më shumë kërkesave që ata kanë. Ndër të tjera ai thotë se gjatë këtij sezoni turistik pritet që të vijnë edhe turistë franzecë që munguan gjatë pandemisë.

Të njëjtin parashikim optimist kanë edhe tur-operatorët e tjerë.

Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelierëve thotë se vera e vitit 2022 do të shënojë pikën e kthesës drejt normalitetit ndërsa rimëkëmbja e plotë do të kërkojë 3-5 vjet.

Zak Topuzi

Megjithatë, tur-operatorët shprehin herë pas here rezerva pasi nëse ka diçka që kemi mësuar nga kjo pandemi, është vështirësia për të parashikuar.

Kështuqë, me variante të reja të mundshme, vendeve do t’iu duhet të notojnë në ujërat të pasigurta dhe të përpiqen të mbijetojnë në bazë të mundësive që kanë. Por, për të zbehur sa më shpejt gjurmët e pandemisë,Ministria e Turizmit do ta çelë sezonin që në fillim të majit, ndryshe nga vitet e kaluara.

Pandemia ktheu më shumë vëmendjen nga turizmi patrotik

Operatorët turistikë shprehen se turizmi patriotik do të kryesojë sërish këtë verë.

Sipas operatorëve parashikohet përsëri një cikël i mbyllur brenda Ballkanit Perëndimor, turizëm patriotik dhe turizëm i brendshëm gjithëvjetor gjatë këtij sezoni turistik.

Familje të tëra nga Kosova apo të rinj në grupe shoqërore mund të hasje pafund verën e shkuar në çdo skaj, nga Velipoja në Sarandë.

Ishte ky një reflektim se turizmi në mos të shënonte fitime të mëdha, të paktën u mbajt në këmbë.

Kosova shënoi rritje të numrit të vizitorëve, edhe me periudhën e para-pandemisë. Nga vendi fqinj kanë hyrë gjithsej për janar-nëntor 2021, 2.6 milionë shtetas, me rritje prej 18% në krahasim me 11-mujorin e 2019-s.  Ata kanë kompensuar dukshëm tkurrjen e turistëve nga vendet e tjera. Për 11-mujorin 2021, hyrjet e turistëve nga Kosova përbënin 47.3% të totalit, nga 35.4% në janar-nëntor 2019.

Por cilat janë disa nga sfidat e reja të mundshme me të cilët operatorët po të përballen këtë verë?

Problemet sipas operatorëve e kanë zanafillën që nga mungesa e stafit, sidomos në jug të vendit.

Që nga vera e kaluar, bizneset shqiptare u përballën me krizën për punonjës, nga spiralja e së cilës ende nuk kanë gjetur shpëtim. 

Me zbehjen e ngadaltë të efekteve të pandemisë, Shqipëria e pa veten në kushtet e mungesës së madhe të punëtorëve. Hoteleritë, baret dhe restorantet u ‘braktisën’ nga stafet në pikun e sezonit turistik duke i lënë ata tërësisht në dorë të familjarëve. Kështu ata u ngarkuan të bënin vetë rolin e shefit të kuzhinës, banakierit e kamerierit.

Operatorët nga sektori i shërbimeve shpjeguan herëpashere për Gazetasi.al se sa të vështirë e patën të menaxhonin rebelimin masiv të punonjësve pikërisht atëherë kur kishin më shumë nevojë për ta dhe shtuan se i druheshin përballjes me të njëjtën situatë.

Disa ditë më parë, Vasil Bedinaj, kreu i operatorëve turistikë të jugut pohoi për Gazetasi.al se kanë nisur kërkesa të shumta për të punuar nga hotelet e jugut, nga të njëjtët ukrainas që deri vjet, vinin për të pushuar.Një situatë e favorshme ‘win-win’ ku asnjë në këtë mes nuk del me humbje.

Vasil Bedinaj, kryetar i Operatorëve Turistikë të Jugut

Megjithatë, ata hotele që vjet nuk i kanë paguar punëtorët edhe gjatë periudhës së dimrit, tashmë po përballen më shumë vështirësi.

Thanas Goro, njëri prej tyre thotë se edhe pse në hotelin e tij turistët e parë të huaj kanë ardhur që me datë 12 prill, ai nuk ka gjetur ende staf.

“Për staf të specializuar as nuk diskutohet por as punëtorë të thjeshtë nuk po gjej dot. Këto ditë, jemi angazhuar familjarisht. Nuk e di si do vijojmë më andej kur turistët të shtohen.

Është një krizë e madhe për punëtorë”, thotë jo pak i shqetësuar ai.

Infrastrukura dhe mbeturinat, problematika të ngahershme

Operatorët thonë se ka nevojë për më shumë vëmendje sa i takon menaxhimit të mbetjeve.

 Vitin e shkuar problematika e krijuar në disa bashki të vendit bëri që fotot me “male” mbetjesh të bënin xhiron në rrjet nga turistët e huaj, të cilët e shihnin me habi këtë situatë në pikun e sezonit.

Amfiteatri i Durrësit i rrethuar nga mbeturinat gjatë sezonit turistik

Infrastruktura, gjithashtu sipas tyre, është një nga problematikat e përhershme për të cilën turistët ankohen.

Rrahman Kasa shton për Gazetasi.al se infrastruktura e rrënuar në Golem është një sfidë e madhe për këtë sezon turistik pasi ai është një destinacion goxha i preferuar nga pushuesit dhe si i tillë, meriton vendosjen e standardeve të duhura.

Pavarësisht këtyre problematikave, ata mbeten optimistë që sezoni turistik nuk do të jetë më me këmbë në “allçi”. Përkundrazi, presin të jenë shumë afër bum-it të 2019-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë