Nga Gazeta Si- Në spitalin infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë prej disa javësh paraqiten dhjetëra raste në ditë me probleme të aparatit tretës, të cilët kërkojnë ndihmë të specializuar mjekësore.
Sipas burimeve pranë Infektivit, mësohet se pacientët janë pothuajse të të gjitha moshave dhe sëmundjet gastroenterite janë më të shpeshtat duke nisur nga muaji maj.
“Pacientët paraqesin simptoma të virozave ose helmime nga ushqimi. Ata vijnë me të vjella, diarre dhe temperaturë të lartë. Moshat janë të ndryshme, përfshi të rinj e të moshuar. Qëndrimi në urgjencë nuk i kalon të 48 orët dhe ata kthehen në shtëpi pas kryerjes së serumit e marrjes së terapisë në shtëpi”, thotë një mjeke në spitalin infektiv në QSUT për Gazetasi.al.
Por me rritjen e temperaturave, rreziku nga helmimi prej ushqimit shtohet, ndaj mjekët bëjnë apel për të shtuar kujdesin.
Sipas tyre, konsumimi i ushqimeve të gatuara në shtëpi do të ishte zgjidhja më e mirë por nëse kjo është e pamundur, kujdes duhet treguar në ushqimet të cilat janë të ndjeshme ndaj temperaturave siç janë bulmeti, akulloret, mishi.
Nxehtësia, terren ideal për bakteret
Mjekët shpjegojnë se rritja e temperaturave krijon kushte ideale për zhvillimin e mikroorganizmave të rrezikshëm si Salmonella, E.coli, Shigella, të cilët mund të transmetohen lehtësisht përmes ushqimeve të kontaminuara.
Produktet që kërkojnë kushte të veçanta ruajtjeje si bulmeti, mishi, sallatat, dhe akulloret janë ndër më të rrezikuarat.
“Vetëm një orë qëndrimi jashtë frigoriferit në temperaturat e qershorit mjafton për të shumëfishuar bakteret,” paralajmëron një mjek epidemiolog në QSUT.
Mjekët japin disa këshilla të thjeshta por të domosdoshme për qytetarët. Ata këshillojnë ushqime të gatuara në shtëpi dhe shmangien e konsumimit të ushqimeve të rrugës.
“Ruani produktet në frigorifer dhe kontrolloni datat e skadencës. Pini ujë të pastër dhe të ambalazhuar, veçanërisht në lëvizje. Shmangni akulloret e prodhuara në kushte artizanale ose të paautorizuara. Kujdes i shtuar për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike”, thonë mjekët.
Përballë situatës që pritet të përkeqësohet me afrimin e muajve më të nxehtë të verës, mjekët apelojnë për shtim të kontrolleve dhe nga strukturat përgjegjëse.
Kontrolli i tregjeve ushqimore, bizneseve të rrugës dhe frigoriferëve në transport është jetik për të shmangur përhapjen e sëmundjeve që shpesh mund të rezultojnë edhe me komplikacione serioze.
“Ky nuk është thjesht shqetësim sezonal, është një çështje e shëndetit publik,” thekson një mjek infeksionist.
Sipas informacionit zyrtar nga ISHP, situata epidemiologjike është e pritshme për këtë periudhë të vitit.
Prirja në kohë e infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme paraqiti një ulje në javën e 22 krahasuar me javën paraardhëse, java 21, respektivisht nga 10.348 java 21 në 10.216 java 22.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.