Shendet

Sezoni i alergjive në kulm, specialistët: Çdo ditë raste të reja, po shtohen pacientët e moshës 20-30 vjeç

Nga Gazeta Si – Muaji prill shënon kulmin e sezonit ku më të shpeshta konstatohen alergjitë nga poleni i barit të egër.

Mjekja alergologe në poliklinikën e specialiteteve nr.3 në Tiranë, Klejta Elezi, thotë për Gazetasi.al se me hyrjen e pranverës, konstatohen rritje të rasteve të të prekurve nga alergjitë.

“Në këtë pikë të sezonit të alergjive po konstatojmë më shumë raste të alergjive nga bari i egër dhe me alergjitë nga poleni i shkurreve. Kemi pacientë të rinj të moshës 20-30-vjeç të cilët ose janë të diagnostikuar dhe rikthehen për të marrë mjekimin e radhës ose janë pacientë që diagnostikohen me alergji. Çdo ditë konstatohen raste të reja , që vijnë për diagnostikim, përcaktohet diagnoza dhe marrin terapinë e nevojshme”, thotë alergologia Elezi.

Sipas saj, në këtë periudhë shkaktarët janë polenet që kanë të bëjnë me sezonin polenik të hershëm por dhe ato të vonshëm që zgjasin deri në shtator-tetor.

Por, sipas alergologes Elezi, në këtë periudhë shfaqen dhe alergjitë nga akarieni, ose siç njihet rëndom si alergjia nga pluhuri i shtëpisë i cili ka periudhën e vet të shfaqjes në pranverë-vjeshtë.

“Pikërisht në këtë periudhë kemi dhe rastet e rrufave alergjike ose acarim të astmave bronkiale që kanë si faktor polenet por dhe akarienet.

Shenjat e rrufës alergjike vijnë që nga teshtimat, kruarje të hundës, sekrecionet nazale që shpeshherë janë të ujshme, të shoqëruara dhe me kollë të thatë.

Mund të kemi shenja të alergjisë që shfaqen me lotim të syve dhe pastaj mund të kemi dhe astmas bronkiale ku pacientët shfaqin shenja të kollës së fortë dhe vështirësi në frymëmarrje apo dhe fishkëllimë në frymëmarrje”, thotë alergologia.

Parandalimi në kohë shmang pasojat

Mjekët specialistë thonë se shumë të rinj paraqiten në qendrat shëndetësore me vonesë, pas disa vitesh që janë mjekuar në farmaci me medikamente që nuk trajtojnë alergjinë.

“Ndër pacientët e rinj alergjikë, konstatojmë raste të moshave të reja që në fillim janë mjekuar për alergjinë me medikamente të ndryshme që blejnë në farmaci pa kryer një konsultë me specialistin.

Kjo u sjell dhe dëme në shëndet siç janë rrufat që na vijnë në formë të agravuar dhe na duhet të intervenojmë me një skemë mjekimi pak të zgjeruar. Kur e diagnostikojmë rrufën, përpos mjekimit, ajo çfarë i këshillojmë pacientit është imunoterapia apo dhe vaksina ndaj alergjisë”.

Alergologët thonë se imunoterapia është një kurë e avancuar dhe ofrohet në rastet kur medikamentet nuk janë eficente tek pacientët, ose kanë efekte anësore ndaj mjekimit.

“Ajo që ka rëndësi të dihet është se imunoterapia ndihmon në parandalimin e një astme bronkiale, pasi në një përqindje mjaft të rritur të pacientëve tanë që preken dhe diagnostikohen me rrufë alergjike, kemi një ecuri drejt astmës bronkiale, pasi gjithë sistemi respirator ka një ndërtim anatomik dhe një funksion fiziologjik i cili ndikon që ky inflamacion i instaluar në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, si pasojë e reaksioneve alergjike të zbresë në rrugët e poshtme të frymëmarrjes duke u instaluar astma bronkiale e cila ka kosto në mjekim por dhe në cilësinë e jetës së pacientit”, thotë alergologia Klejta Elezi.

Mjekët bëjnë apel për të mos neglizhuar simptomat e alergjive por ti drejtohen specialistëve për ndihmë më të specializuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë