Gazeta Si – Këtë herë Borusia Dortmund nuk e shpërdoroi ‘asistin’ e Bajernit, që humbi në shtëpi me Lajpcigun, duke treguar sërish se ky është një sezon shumë i vështirë. Borusia mundi 0-3 Augsburgun dhe i parakaloi bavarezët në krye të renditjes.
Një javë para mbylljes së kampionatit, skuadra verdhezi udhëheq me 70 pikë, 2 më shumë se rivalët e përjetshëm. Ndeshjen me Augsburgun e vendosi dopieta e Haler dhe goli i Brandt. Pas një fillimi, ku skuadrat po studionin lojën, Borusia filloi sulmet, ndërsa kundërshtari mbeti me 10 vetë, pasi Uduokhai u ndëshkua me karton të kuq si lojtari i fundit.

Na pjesën e dytë dominimi i Borusias ishte absolut. Rezultati u zhbllokua pas një ore lojë nga Haler, i cili 6 minuta para fundit shënoi edhe golin e dytë me një ‘tap-in’. Golin e tretë e realizoi Brandt në shtesë.
Tani Borusias i mjafton të fitojë ndaj Maizit në javën e fundit të kampionatit për të festuar titullin e 9-të në histori. Bajerni në anën tjetër, pas dështimit në Ligën e Kampionëve, po dështon edhe në Bundesligë. Ndërrimi i trajnerit, në vend që të përmirësonte situatën, i ka çuar edhe më keq bavarezët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




