Finalja e Europa League e luajtur në Koln, në Gjermani, ishte një spektakël i madh i futbollit europian, dëshmuar me praninë e dy skuadrave të mëdha, si Sevilla, skuadra që e ka fituar më së shumti trofeun, plot 5 herë, në vitet 2006, 2007, 2014, 2015 dhe 2016 dhe Interit, skuadrës legjendare italiane. Në fund triumfuan spanjollët duke fituar 3-2 dhe siguruan titullin e gjashtë në Europa League. Kjo ndeshje i pati të gjitha, por trofeun e mori Sevilla, kurse Interi i trajnerit Conten nuk ja doli dot, por ku lanë gjurmë me spektaklin e tyre.
Finalja nisi në mënyrën më spektakolare të mundshme. Pasi Sevilla humbi një rast ideal, arbitri akordoi një penallti për Interin në minutën e 5-të dhe Lukaku e shëndërron në gol, duke barazuar rekordin e golave të shënuar në një sezon me Inter të Ronaldo Fenomenit. Nuk ka zgjatur shumë avantazhi zikaltër, pasi Sevilla është kthyer në lojë me një gol spektakolar të De Jong në minutën e 12, duke barazuar në 1-1.

Holandezi i spanjollëve ka shënuar edhe golin e dytë për spanjollët, në minutën e 33-të. Inter nuk dorëzohet dhe Godin barazon me një goditje me kokë në minutën e 36-të, duke barazuar gjithçka.

Një pjesë e dytë që foli për spanjollët. 15 minuta nga fundi Interi e sheh veten në disavantazh për të dytën herë. Diego Carlos shënon një gol spektakolar, i ndihmuar edhe nga devijimi i pafat i Lukakut në minutën e 74-të. Ky gol e shtangu tërësisht Interin, i cili u gjend i papërgatitur moralisht të përballojë disavantazhin. Inter bën ndryshime të shumta, por skuadra e Contes nuk ka më forcë të gjejë rrjetën. Si përfundim, Sevilla fiton 3-2 dhe merr trofeun.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




